57 mijë euro cash, 200 mijë euro lokal dhe 100 mijë euro shtëpi në deklarimin e Arlind Manxhukës së VV-së
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka dorëzuar deklarimin vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ku vëmendje të veçantë tërheq niveli i kursimeve të raportuara nga ai dhe familja e tij. Sipas të dhënave të publikuara, një pjesë e madhe e mjeteve financiare figuron në emër të prindërve të tij, të cilët kanë…
Lajme
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka dorëzuar deklarimin vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ku vëmendje të veçantë tërheq niveli i kursimeve të raportuara nga ai dhe familja e tij.
Sipas të dhënave të publikuara, një pjesë e madhe e mjeteve financiare figuron në emër të prindërve të tij, të cilët kanë deklaruar 57 mijë euro para të gatshme, të krijuara nga kursimet ndër vite. Ndërkohë, vetë Manxhuka ka raportuar mbi 4 mijë euro në një bankë në Kosovë, ndërsa një shumë prej 4 mijë eurosh tjetër është deklaruar nga prindërit në një bankë në Slloveni, transmeton lajmi.net.
Në formularin e pasurisë përfshihen edhe disa prona të paluajtshme që janë në pronësi familjare, përfshirë një lokal me vlerë rreth 200 mijë euro, një shtëpi me vlerë 100 mijë euro si dhe dy parcela toke që arrijnë vlera mbi 100 mijë euro në total.
Sa i përket pasurisë së luajtshme, është deklaruar një veturë e tipit Renault e vitit 2018, me vlerë rreth 15 mijë euro, e cila gjithashtu figuron në emër të prindërve.
Në aspektin e të ardhurave, Manxhuka ka raportuar rreth 11 mijë euro nga angazhimi në Lëvizjen Vetëvendosje dhe 2 mijë e 650 euro nga Thesari i Shtetit. Ndërkohë, prindërit e tij kanë të ardhura prej rreth 16 mijë e 800 euro nga një biznes familjar jashtë vendit, konkretisht në Slloveni.
Në deklarim është përfshirë edhe një kredi në emër të prindërve, e marrë në një bankë në Slloveni, me vlerë fillestare 50 mijë euro, prej së cilës kanë mbetur për t’u shlyer mbi 33 mijë euro./lajmi.net/
