Lumir Abdixhiku deklaron pasurinë, shton dy banesa në emër të bashkëshortes në vlerë rreth 210 mijë euro
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë publik deklarimin e tij vjetor të pasurisë, i cili është publikuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Nga të dhënat rezulton se gjatë këtij viti janë shtuar dy prona të reja, të regjistruara në emër të bashkëshortes së tij. Bëhet fjalë për dy banesa, njëra…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë publik deklarimin e tij vjetor të pasurisë, i cili është publikuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Nga të dhënat rezulton se gjatë këtij viti janë shtuar dy prona të reja, të regjistruara në emër të bashkëshortes së tij. Bëhet fjalë për dy banesa, njëra me vlerë rreth 120 mijë euro dhe tjetra rreth 100 mijë euro, të cilat janë përfituar përmes trashëgimisë familjare, transmeton lajmi.net.
Në deklarim përfshihen edhe pasuri të tjera të paluajtshme, si një shtëpi në bashkëpronësi me vlerë rreth 200 mijë euro, një banesë e blerë me kredi që kap vlerën e 265 mijë eurove, si dhe një shtëpi e trashëguar prej rreth 150 mijë eurosh.
Sa i përket pasurisë së luajtshme, është deklaruar një veturë e markës Mercedes-Benz e vitit 2019, me vlerë rreth 25 mijë euro, e cila figuron në emër të bashkëshortes.
Në pjesën e biznesit, bashkëshortja e tij zotëron 25 për qind të aksioneve në kompaninë “AMPERA GROUP”, ndonëse nuk është bërë publike vlera e tyre financiare.
Në llogaritë bankare, Abdixhiku ka deklaruar rreth 386 euro kursime, ndërsa bashkëshortja e tij mbi 4 mijë euro. Të ardhurat e tij përfshijnë rreth 19 mijë euro nga pozita e deputetit dhe 24 mijë euro nga angazhimi në Kolegjin Riinvest.
Ndërkohë, në deklarim janë përfshirë edhe detyrimet financiare, përfshirë kredi për renovim të shtëpisë dhe kredi për blerje banese, me një shumë të konsiderueshme të mbetur për pagesë./lajmi.net/
