Haxhiu pret ministrin e Jashtëm të Belgjikës, theksohet forcimi i bashkëpunimit dhe integrimi evropian
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prévot. Gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi Prévot për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Kosovës ndër vite, si në periudhat vendimtare të…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prévot.
Gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi Prévot për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Kosovës ndër vite, si në periudhat vendimtare të historisë, ashtu edhe në procesin e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të vendit, transmeton lajmi.net.
Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe roli i rëndësishëm i mërgatës kosovare në Belgjikë në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Palët diskutuan gjithashtu për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investime dhe partneritet.
Haxhiu ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrimin evropian, duke nënvizuar rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe synimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Komunikata e plotë:
U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prévot
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, priti sot në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, z. Maxime Prévot.
U.D. Presidentja Haxhiu e falënderoi z. Prévot për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite, si në periudhat vendimtare të historisë sonë, ashtu edhe në procesin e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të vendit.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës sonë në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investim dhe partneritet ndërmjet dy shteteve.
U.D. Presidentja Haxhiu ritheksoi rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO./lajmi.net/