Kurti në takim me zëvendëskryeministrin belg: Jemi të përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim zëvendëskryeminstrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot. Në këtë takim, Kurti e ka falenderuar Prevot për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Belgjikës para dhe pas luftës, si dhe para dhe pas pavarësisë. Ai ka veçuar strehimin e refugjatëve shqiptarë gjatë…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim zëvendëskryeminstrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot.
Në këtë takim, Kurti e ka falenderuar Prevot për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Belgjikës para dhe pas luftës, si dhe para dhe pas pavarësisë.
Ai ka veçuar strehimin e refugjatëve shqiptarë gjatë luftës dhe kontributin në forcat e KFOR-it.
“Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe me Belgjikën, vend në të cilin kemi një mërgatë të mirë-integruar, kryeministri Kurti theksoi që Republika e Kosovës është e interesuar që të thellojë bashkëpunimin ekonomik dhe të krijojë lehtësira. Duke përmendur marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë, e nënshkruar së fundmi në margjinat e Takimeve Pranverore në Washington DC, kryeministri Kurti shprehu vullnetin edhe për marrëveshje të reja me Belgjikën, në sektorë të ndryshëm”, ka njoftuar ZKM.
Kurti ka thënë se Brukseli është qendër tejet e rëndësishme për Republikën e Kosovës.
“Ai theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet i yni strategjik dhe avancimi i aplikimit, nëpërmjet dhënies së statusit të shtetit kandidat, duhet të jetë hapi i radhës në këtë drejtim. Krahas kësaj, ai tha se Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë, e angazhuar dhe e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO”, ka thënë ai. /Lajmi.net/