“Prioritet shëndeti i punëtorëve”, ndërpriten punimet në një vendpunishte në Fushë-Kosovë

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar aksioni i inspektimeve të vendnpunishteve në Kosovë. Aksioni është realizuar nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës. Nga ky aksion iu është vendosur shiriti disa kompanive ndërtimore dhe janë ndaluar punime. U.d. drejtori ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës,…

Lajme

16/04/2026 14:05

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar aksioni i inspektimeve të vendnpunishteve në Kosovë. Aksioni është realizuar nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës.

Nga ky aksion iu është vendosur shiriti disa kompanive ndërtimore dhe janë ndaluar punime.

U.d. drejtori ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari njoftoi se aksioni do të zgjasë 15 ditë.

“Siç e dini jemi në zbatim të vendimit të Ministrit të Punës, zotit Hekuran Murati, dhe mandatit ligjor të Inspektoratit Qendror të Punës. Sot fillon një aksion 15 ditor në shtatë rajone të Kosovës. Ky aksion përveç tjerash është edhe në kuadër të mandatit tonë ligjor”, tha Jashari.

Sipas tij, rritja e respektimit të rregullave ligjore është ajo që synohet përmes këtij aksioni.

Ndërsa, udhëheqësi i Divizionit për rajonin e Prishtinës, Ahmet Delolli tha se aksioni do të mbahet gjithsej në shtatë rajone, ndërsa sot në ditën e parë do të bëhet në tri regjione: Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj.

“Plani operativ do të zhvillohet në të shtatë regjionet e Republikës së Kosovës. Me 15 ekipe inspektuese, inspektorë të angazhuar në terren 30, i cili do të zgjasë në 14 ditë vijuese të aksionit”, tha Delolli.

E në një vendpunishte në Fushë Kosovë, Inspektorati Qendror i Punës ka gjetur shkelje të kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë.

E inspektori që mbikëqyri punimet, Gëzim Sahiti tregoi se çfarë parregullsish janë gjetur.

“Është konstatuar se mungojnë masat e sigurisë dhe shëndetit në punë. Përfshirë skelet, të përfshira hapësirat që do të pastrohen, do të mbyllen hapësirat e liftit, si dhe kontrolla e skeleve. Pra do të bëhet një kontroll e skeleve në mënyrë që të jenë të sigurta për punë gjatë kësaj vendpunishti”, u shpreh Sahiti.

Sahiti theksoi se kanë vërejtur që masat e sigurisë nuk janë ndërmarrë fare dhe puna që po zhvillohet nuk është e sigurt.

“E pamë që masat e sigurisë nuk janë ndërmarrë hiç. Pra ka shumë masa të cilat duhet të ndërmirren dhe puna që po zhvillohet këtu nuk është e sigurt për punëtorët. Ne tani do ta hartojmë një raport, dhe prej këtij momenti punimet janë të ndaluara”, shtoi ai.

Në këtë situatë, inxhinieri i ndërtimit në një kompani kërkoi nga inspektorët të lejonin vazhdimin e disa punimeve për t’i shmangur dëmet materiale.

“A ka mundësi që me vazhdua (vendosja e pllakës, pasi (nëse ndalohet sot puna) dëmet janë të pa riparueshme?”, tha ai.

Kjo kërkesë u pamundësua nga inspektori pasi theksoi se prioritet kryesor për ta është shëndeti i punëtorëve dhe jo dëmet materiale.

“Mbi të gjitha janë shëndeti i punëtorëve, jeta e punëtorëve”, tha Sahiti.

Gjatë kohës së fundit, në vend kanë ndodhur disa vdekje në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.