Vdekja e punëtorit në Shtime, Prokuroria: Kemi bërë kërkesë për ekzaminimin e kamerave, Policia dhe Inspektorati po kryejnë hetimet
Një person i moshës 48 vjeçare, ka humbur jetën dje si pasojë e lëndimeve që ka marrë në vendin e tij të punës dje në Shtime. Ai ka marrë lëndime në vendin e tij të punës, ndërsa vdekja e tij është konfirmuar në Emergjencën e Ferizajt, shkruan lajmi.net. “Rr. Industria, Shtime 15.04.2026 – NN. Është…
Lajme
Një person i moshës 48 vjeçare, ka humbur jetën dje si pasojë e lëndimeve që ka marrë në vendin e tij të punës dje në Shtime.
Ai ka marrë lëndime në vendin e tij të punës, ndërsa vdekja e tij është konfirmuar në Emergjencën e Ferizajt, shkruan lajmi.net.
“Rr. Industria, Shtime 15.04.2026 – NN. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, ishte dërguar në emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor pasi që i njëjti dyshohet se derisa ka qenë duke punuar në një kompani, kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e tij. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. Lidhur me rastin një person mashkull kosovar, me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport 24 orësh.
Në lidhje me rastin, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka thënë për lajmi.net se kanë autorizuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
“Ju njoftoj se lidhur me këtë rast, me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar një person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’ nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokurori i shtetit ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të rastit në fjalë”, ka thënë Prokuroria.
Ata kanë thënë se kanë bërë kërkesë për ekzaminimin e kamerave për të grumbulluar informacione për rastin në fjalë.
Viktima nga ky rast është 48 vjeçari Isuf Bislimi. Ai ka humbur jetën në kompaninë “Doni Fruits”.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe vetë kompania. Nga kjo e fundit, vdekja e punëtori është cilësuar si ‘’lajm i rëndë’’, dhe se, Bislimi ka qenë një ‘’koleg i përkushtuar, punëtor dhe i respektuar nga të gjithë’’.
‘’ Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të të ndjerit. Doni Fruits qëndron pranë familjes Bislimi dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë periudhë të rëndë’’, është thënë nga kompania.