Vdekja e punëtorit në Shtime, kompania: Lajm i rëndë, do qëndrojmë pranë familjes në këtë periudhë të rëndë

Një rast i rëndë ka ndodhur në zonën industriale të Shtime, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë orarit të punës në kompaninë “Doni Fruits”. Viktima është identifikuar si Isuf Bislimi, ndërsa kompania ka konfirmuar vdekjen e tij, duke e cilësuar si një humbje të madhe për kolektivin. Në reagimin e saj, “Doni Fruits” ka…

Lajme

16/04/2026 11:38

Një rast i rëndë ka ndodhur në zonën industriale të Shtime, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë orarit të punës në kompaninë “Doni Fruits”.

Viktima është identifikuar si Isuf Bislimi, ndërsa kompania ka konfirmuar vdekjen e tij, duke e cilësuar si një humbje të madhe për kolektivin.

Në reagimin e saj, “Doni Fruits” ka thënë se Bislimi ka qenë një punëtor i përkushtuar dhe i respektuar nga të gjithë kolegët. Kompania ka shprehur ngushëllime për familjen, duke theksuar se do të qëndrojë pranë saj në këtë periudhë të vështirë.

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se kolegu ynë i nderuar, Isuf Bislimi, ka ndërruar jetë në mënyrë aksidentale gjatë orarit të punës… Kujtimi për Isufin do të mbetet gjithmonë pjesë e kompanisë sonë”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Sipas policisë, viktima fillimisht ishte dërguar në emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor, ku më pas nga mjeku është konstatuar vdekja e tij.

Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Lajmi.net/