Smakiqi për rastin Azemi–Manxhuka: Dënimi mbi 6 muaj burgim efektiv nuk zëvendësohet me gjobë në rast konfirmimi
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Egzon Azemit dhe Arlind Manxhukës, i cili ende nuk është i formës së prerë, avokati Xhevdet Smakiqi ka sqaruar për lajmi.net aspektet procedurale dhe pasojat juridike të rastit. Sipas tij, aktgjykimi i shkallës së parë u garanton palëve të drejtën për ankesë brenda afatit ligjor prej 30…
Lajme
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Egzon Azemit dhe Arlind Manxhukës, i cili ende nuk është i formës së prerë, avokati Xhevdet Smakiqi ka sqaruar për lajmi.net aspektet procedurale dhe pasojat juridike të rastit.
Sipas tij, aktgjykimi i shkallës së parë u garanton palëve të drejtën për ankesë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
“Proceduralisht aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë i garanton palës së akuzuar të drejtën për mjet të rregullt juridik, ankesë në afat prej 30 ditësh, të cilën të drejtë do ta përdorin”, ka thënë Smakiqi.
Ai thekson se deri në një vendim të formës së prerë, deputeti i apostrofuar nuk e humb mandatin dhe mund të marrë pjesë aktive në seanca.
“Përderisa s’ka aktgjykim të formës së prerë, deputeti nuk e humb mandatin dhe mund të marrë pjesë aktivisht në seanca”, ka deklaruar ai.
Smakiqi ka shtuar se në rast se edhe Gjykata e Apelit e konfirmon dënimin prej 1 viti e 6 muaj burgim efektiv, atëherë pasojnë pasoja të tjera ligjore.
“Nëse në shkallën e dytë vërtetohet dënimi prej 1 vit e 6 muaj burgim efektiv, kjo situatë e detyron të dënuarin të shkojë në vuajtje të dënimit, i cili nuk mund të zëvendësohet me gjobë pasi është mbi 6 muaj burgim efektiv”, ka thënë ai.
Sipas tij, në një rast të tillë deputeti e humb mandatin si sipas ligjit për deputetë, ashtu edhe për shkak të mosushtrimit të funksionit për më shumë se 6 muaj.
Ai ka vlerësuar punën e institucioneve të drejtësisë në këtë rast, duke thënë se procesi duhet të respektohet pa ndikime politike.
“Duhet përgëzuar drejtësia e Republikës së Kosovës për hetim, akuzim dhe gjykim të pavarur dhe të pandikuar pavarësisht pozitës së secilit”, ka shtuar Smakiqi.
Në fund, ai ka theksuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
“Si avokat sugjeroj të respektojmë prezumimin e pafajësisë, sepse askush nuk është fajtor deri në një aktgjykim të formës së prerë”, ka deklaruar ai./lajmi.net/