Arrestohen edhe dy persona në Ferizaj, sekuestrohen rreth 20 kg heroinë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Task Forcën “White Star”, ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për trafikim të narkotikëve në një operacion të zhvilluar më 13 prill 2026 në Komunën e Ferizajt. Sipas njoftimit zyrtar, me këto arrestime numri i të ndaluarve ka shkuar…

Lajme

14/04/2026 16:28

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Task Forcën “White Star”, ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për trafikim të narkotikëve në një operacion të zhvilluar më 13 prill 2026 në Komunën e Ferizajt.

Sipas njoftimit zyrtar, me këto arrestime numri i të ndaluarve ka shkuar në katër persona.

Të arrestuarit A.D., S.Sh., M.Sh. dhe M.B. dyshohen për përfshirje në disa vepra penale, përfshirë pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve, si dhe shpëlarje të parave.

Gjatë operacionit, autoritetet kanë sekuestruar substancë narkotike të llojit heroinë, e cila sipas vlerësimit arrin në rreth 17.9 kiligram, njofton prokuroria.

Me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle në katër lokacione të ndryshme, ku përveç heroinës janë sekuestruar edhe prova të tjera relevante që pritet të shërbejnë në procedurën penale, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda këtij afati Prokuroria Speciale pritet të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Autoritetet bëjnë të ditur se nga hetimet e deritanishme janë identifikuar personat dhe lokacionet ku ka vepruar grupi kriminal, si dhe vendi ku mbahej substanca narkotike e përgatitur për transport.

Ndërkohë, lidhur me këtë rast, edhe dy persona të tjerë mbeten në kërkim policor, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.