Vendimi i Gjermanisë për uljen e taksave të karburanteve hap debat në Kosovë – Avdullah Hoti kritikon Qeverinë: LDK e ka propozuar këtë masë, por është refuzuar

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar një vendim të ri ekonomik, sipas të cilit Gjermania do të ulë përkohësisht taksat mbi benzinën dhe naftën për një periudhë dy mujore. Ky vendim, sipas qeverisë gjermane, synon të lehtësojë barrën financiare për familjet dhe bizneset që janë goditur nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve. Në…

Lajme

13/04/2026 20:39

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar një vendim të ri ekonomik, sipas të cilit Gjermania do të ulë përkohësisht taksat mbi benzinën dhe naftën për një periudhë dy mujore. Ky vendim, sipas qeverisë gjermane, synon të lehtësojë barrën financiare për familjet dhe bizneset që janë goditur nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve.

Në këtë mënyrë, Berlini zyrtar ka theksuar se masa vjen si reagim ndaj presioneve ekonomike dhe kostove të larta të jetesës, duke synuar stabilizimin e tregut dhe mbështetjen e konsumatorëve.

Pas këtij vendimi ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i cili ka rikujtuar se një masë e ngjashme është propozuar më herët edhe nga partia e tij në Kosovë.

Sipas Hotit, LDK kishte kërkuar heqjen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, por kjo, sipas tij, ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës.

“Të njëjtën gjë që e paska bërë Kancelari Merz në Gjermani e kemi propozuar si LDK, heqjen e akcizës dhe TVSH-së për naftën. Qeveria e refuzoi”, ka shkruar Hoti.

Ai ka kritikuar më tej qasjen e ekzekutivit, duke e cilësuar atë si të gabuar dhe të dëmshme për ekonominë e tregut.

“Sipas tyre, sa më shumë që paguajnë qytetarët, aq më shumë përfiton shteti. Ky lloj mentaliteti qeverisës nuk ka lidhje me ekonomi të tregut”, ka shtuar ai.

Reagimi i Hotit vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve vazhdojnë të jenë një nga shqetësimet kryesore për qytetarët dhe bizneset në Kosovë. /Lajmi.net/