Mes krizës politike dhe zgjedhjeve: 16 ditë vendimtare për Kosovën

Kosovës apo saktësisht liderëve politik i kanë mbetur vetëm edhe 16 ditë për të zgjedhur mes dy mundësive, zgjedhjes së Presidentit/es apo që vendi të shkoj në zgjedhje. Pavarësisht pse në vazhdimësi po deklarojnë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, nuk po shihet angazhim që kjo të evitohet. Që nga vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese…

Lajme

13/04/2026 16:48

Kosovës apo saktësisht liderëve politik i kanë mbetur vetëm edhe 16 ditë për të zgjedhur mes dy mundësive, zgjedhjes së Presidentit/es apo që vendi të shkoj në zgjedhje.

Pavarësisht pse në vazhdimësi po deklarojnë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, nuk po shihet angazhim që kjo të evitohet.

Që nga vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese duke i dhënë deputetëve kohë 34 ditë për ta zgjedhur Presidentin apo t’iu hapet rrugë zgjedhjeve të reja, deri tani që kanë mbetur edhe 16 ditë, vetëm një hap është marrë.

Ky hap ishte takimi që kryeministri i Kosovës Albin Kurti e realizoi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun por që nuk solli rezultat.

Pas këtij takimi, Abdixhiku tha që nuk u arrit një marrëveshje mirëpo tha se takimet mund të vazhdojnë, ndërkaq Albin Kurti tha se 80-81 vota të cilat mund t’i sigurojnë me LDK-në nuk janë të mjaftueshme.

“Jemi të përcaktuar për t’i shmangur zgjedhjet e reja, sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë të tjera është vështirë të paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat e programet tona me po të njëjtat zotime, ku kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë se nuk mund të jetë shumë ndryshe Ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë, por është sfidë tejet gjigante që një parti ti ketë 80 deputetë dhe të mund ta zgjedh vetë presidentin”, tha Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku kishte paralajmëruar takime edhe me liderë të partive opozitare.

“Diskutuam për afatin kohor, i kemi më pak se tri javë kohë për konsensus dhe për të arritur një marrëveshje eventuale, ndryshe shkojmë në zgjedhje. zgjedhjet nuk i do askush, as LDK, po provojmë që përmes takimeve të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Nuk kemi rrethanë të re nga takimi i sotëm. Takimet do vazhdojnë. Do takoj edhe liderët e tjerë, të PDK dhe AAK”, u shpreh Abdixhiku.

Takimit me Abdixhikun iu përgjigj negativisht i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa Abdixhiku tha se ishte takuar me Bedri Hamzën e PDK-së, ndonëse nuk u dhanë detaje për këtë takim.

E Hamza ndonëse u takua me Abdixhikun, ende nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Nga Zyra e Informimit e PDK-së ditë më parë kanë bërë të ditur se kryetari Bedri Hamza i është përgjigjur kryeministrit, duke kërkuar që iniciativa të formalizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të trajtohet me seriozitet institucional.

“Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të PDK-së.

PDK ka theksuar se çdo zhvillim i mëtejmë lidhur me këtë çështje do të trajtohet në përputhje me procedurat e brendshme partiake, duke lënë të hapur mundësinë për një qëndrim zyrtar pas shqyrtimit në organet drejtuese.

Pavarësisht se nuk po shihen hapa konkret në rrjedhën e procesit për Presidentin, nga VV e kanë parë me optimizëm situatën e deritanishme.

Deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, është shprehur optimist se brenda afatit kushtetues mund të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.

Ai tha se të gjitha subjektet politike duhet të bëjnë përpjekje për evitimin e zgjedhjeve.

“Unë mendoj se takimet kanë këtë synim, të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të dalim nga kriza e cila na ka përcjellë gjatë javëve të kaluara sa i takon çështjes së presidentit. Unë mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe do t’i shterojmë të gjitha mundësitë. Tani kemi kohën përpara, janë edhe shumë ditë në dispozicion dhe unë mendoj se secili nga akterët politikë duhet ta bëjë maksimumin e vet që të vijmë te një zgjidhje sa i takon kreut të shtetit dhe të evitohen zgjedhjet, të cilat nuk janë të dëshirueshme për askënd.”, tha ai për rtv21.

Më 29 prill menjëherë pas mesnate, përfundon afati për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa nuk dihet ende nëse qytetarët do t’i drejtohen përsëri kutive të votimit, pavarësisht se vitin e kaluar ata votuan në zgjedhje parlamentare dy herë dhe në zgjedhje komunale dy herë të tjera. /Lajmi.net/