Lamtumira e fundit kongresistit Engel, Konjufca: Me dekada mbrojti të drejtën tonë për liri e pavarësi
Kongresisti amerikan dhe miku i Kosovës, Eliot Engel, i cili vdiq tri ditë më parë, u varros sot. Këtë e bëri të ditur anëtari i Këshillit të Qytetit të Neë York, Eric Dinowitz, përmes një postimi në rrjetin social X, ku edhe e kujtoi atë. “Sot varrosëm Kongresmenin Eliot Engel. Bota e njihte si një…
Lajme
Kongresisti amerikan dhe miku i Kosovës, Eliot Engel, i cili vdiq tri ditë më parë, u varros sot.
Këtë e bëri të ditur anëtari i Këshillit të Qytetit të Neë York, Eric Dinowitz, përmes një postimi në rrjetin social X, ku edhe e kujtoi atë.
“Sot varrosëm Kongresmenin Eliot Engel. Bota e njihte si një luftëtar për drejtësi: dikush që ndihmoi në ndalimin e spastrimit etnik në Kosovë; dikush që luftoi kundër punës së skllevërve të fëmijëve në industrinë e kakaos dhe dikush që siguroi fonde federale për programe në gjithë distriktin e tij për të përmirësuar jetën e qytetarëve që përfaqësonte. Sot varrosëm një hero amerikan dhe bota vajton këtë humbje. Sot unë vajtoj humbjen e “Babi Eliot”, shkruan ai.
Ndërsa, zëvëndëskryeministri i parë i Kosovës, njëkohësisht dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme ka bërë homazhe në nderim të kongresistit Engel dhe ka shprehur ngushëllimet në emër të Republikës së Kosovës për familjen e tij.
“Ishte një moment për të nderuar jetën dhe veprën e mikut të madh të shqiptarëve e të Kosovës, i cili për dekada me radhë qëndroi me përkushtim të palëkundur duke mbrojtur të drejtën e popullit tonë për çlirim, liri e pavarësi. Lavdi jetës dhe veprës së mikut tonë të madh. Kontributi i tij është në themel të miqësisë sonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, shkroi Konjufca.
Eliot Engel ishte kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, ku ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor. Ai u shqua për mbështetjen e tij të palëkundur ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar.
Ai ka qenë i zëshëm në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja.