Haradinaj nderon të rënët në Lugishtë të Hasit: Rajoni i Hasit ishte gjithmonë aty ku shkruhej historia
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përkujtoi sot dëshmorët dhe martirët e Lugishtes së Hasit, duke e cilësuar këtë trevë si një ndër simbolet më të forta të rezistencës shqiptare ndër shekuj. Përmes një postimi publik, Haradinaj theksoi se rajoni i Hasit ka qenë historikisht vend ku është shkruar historia e qëndresës,…
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përkujtoi sot dëshmorët dhe martirët e Lugishtes së Hasit, duke e cilësuar këtë trevë si një ndër simbolet më të forta të rezistencës shqiptare ndër shekuj.
Përmes një postimi publik, Haradinaj theksoi se rajoni i Hasit ka qenë historikisht vend ku është shkruar historia e qëndresës, ndërsa kontributi i tij kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht Brigadës 126, e cila ishte në vijën e parë të betejave deri në ditën e fitores.
“Sot, në Lugishtë të Hasit, së bashku me Shejh Xhemajliun, familjarë dhe bashkëluftëtarë, nderuam me respekt të thellë heroizmin e 14 dëshmorëve dhe kujtimin e 40 martirëve”, ka shkruar Haradinaj.
Ai kujtoi se luftëtarët e kësaj ane u përballën drejtpërdrejt me forcat armike, duke i dhënë goditje vendimtare para kapitullimit, ndërsa si hakmarrje, forcat shtetërore serbe ushtruan terror të egër mbi civilët.
“U ekzekutuan mizorisht mbi 40 shqiptarë, shumica të rinj. Vendi dhe njerëzit e përzgjedhur nuk ishin rastësi. Aty u godit me qëllim, për të thyer shpirtin e rezistencës. Sot e asaj dite, autorët e kësaj masakre ende nuk janë vënë para drejtësisë”, theksoi ai.
Në këtë përvjetor, Haradinaj kujtoi edhe figura dhe ngjarje të tjera të dhimbshme të luftës. Ai përmendi 11-vjetorin e ndarjes nga jeta të Safet Gashit, të cilin e cilësoi si mësues që u shndërrua në strateg lufte dhe udhëhoqi Brigadën 126 në beteja të lavdishme.
Po ashtu, ai përkujtoi masakrën e Llashticës së Gjilanit në 27-vjetorin e saj, duke nderuar 26 martirët e rënë gjatë prillit të vitit 1999.
Haradinaj rikujtoi edhe krimet e kryera në disa zona të tjera të Kosovës gjatë të njëjtës periudhë, përfshirë vrasjet në Studenicë të Istogut, ku u ekzekutuan 9 shqiptarë – tetë nga familja Lipaj dhe një nga familja Zeqiraj – si dhe në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, ku u vranë shtatë anëtarë të familjes Zeka dhe dy të familjes Hoxha.
Në fund të reagimit të tij, Haradinaj theksoi se sakrifica e të rënëve për liri mbetet udhërrëfyes për të ardhmen.
“Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!”, përfundoi ai.