Konjufca merr pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, do të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë, i cili do të fillojë sot dhe do të mbahet deri më 15 prill 2026. Në agjendën e publikuar nga organizatorët, Konjufca do të jetë panelist me Ferit Hoxha – Ministër…
Lajme
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, do të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë, i cili do të fillojë sot dhe do të mbahet deri më 15 prill 2026.
Në agjendën e publikuar nga organizatorët, Konjufca do të jetë panelist me Ferit Hoxha – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ali Ahmeti – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), RMV; Dritan Abazoviq, ish-kryeministër dhe deputet, Mali i Zi; Arbër Gashi, deputet në Parlamentin suedez; dhe Lazim Destani, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës.
Kryeqyteti shqiptar mirëpret sot një nga ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare të vitit. Nga dita e sotme deri më 15 prill 2026, Tirana kthehet në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota përmes Samitit të Katërt të Diasporës, që vjen me moton frymëzuese: “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”.
Samiti do të zhvillohet kryesisht në ambientet e Pallatit të Kongreseve në datat 14-15 prill, ndërsa ditën e sotme në orën 18.00 Ceremonia e Mirëseardhjes do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e personaliteteve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasat e një feste të vërtetë kombëtare.
Aktiviteti do të ofrojë një program të larmishëm me panele tematike, ku pjesëmarrësit do të mund të eksplorojnë fusha të ndryshme interesi si ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, arti dhe ruajtja e identitetit kombëtar.
Disa nga panelet dhe ngjarjet kryesore të ndara sipas tematikave: Ekonomia, inovacioni dhe zhvillimi; diaspora partner në biznes dhe inovacion; zhvillimi lokal dhe rural (kryebashkiakë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës do të diskutojnë mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal); integrimi evropian; edukimi, shkenca dhe shëndetësia; mësimi digjital dhe gjuha shqipe; Diaspora dhe kërkimi shkencor (Programi READ); sistemi shëndetësor; kultura, identiteti dhe bashkëpunimi politik; Bota arbëreshe dhe identiteti kombëtar; diaspora mbarëshqiptare; mëngjesi i vëllazërimit (një takim unik mes klerikëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare në diasporë (SHBA, Zvicër, Gjermani etj.), në një lutje të përbashkët për Shqipërinë); arti, sporti dhe gastronomia; rrënjë dhe udhëtime; Softpoëer-i sportive; zërat e diasporës (TKOBAP); aktivitete paralele dhe ekspozita.