Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës mbledh arkiva në Tetovë

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka realizuar një vizitë zyrtare në Tetovë, me fokus mbledhjen dhe dokumentimin e materialeve arkivore që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Sipas njoftimit zyrtar, vizita ka nisur në Bibliotekën e Tetovës, ku janë skanuar materiale me rëndësi të veçantë, të cilat lidhen me…

Lajme

11/04/2026 14:10

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka realizuar një vizitë zyrtare në Tetovë, me fokus mbledhjen dhe dokumentimin e materialeve arkivore që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar, vizita ka nisur në Bibliotekën e Tetovës, ku janë skanuar materiale me rëndësi të veçantë, të cilat lidhen me dokumentimin e dëbimit të popullsisë shqiptare gjatë viteve 1998–1999.

Këto materiale pritet të shërbejnë si dëshmi të rëndësishme në ndërtimin e arkivave dhe në forcimin e bazës dokumentare për trajtimin e krimeve të luftës, si dhe në funksion të ruajtjes së kujtesës historike.

Njoftimi i plotë:

Stafi i IKKL-së gjatë kësaj jave ka zhvilluar vizitë zyrtare në Tetovë, me fokus mbledhjen e materialeve arkivore që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Vizita nisi në Bibliotekën e Tetovës, ku u skanuan materiale me rëndësi të veçantë për dokumentimin e dëbimit të popullsisë shqiptare gjatë viteve 1998–1999.
Gjatë qëndrimit në Tetovë, prof. Izmet Jonuzi i dorëzoi institutit materiale të vlefshme arkivore. Po ashtu, u zhvillua një takim me dr. Alajdin Avziu, i cili gjatë luftës kontribuoi në ndihmën ndaj të dëbuarve në bashkëpunim me organizatën Mjekët pa Kufij.
Në kuadër të vizitës, u qëndrua edhe në fshatin Bozovcë, ku u takuam me mësuesin Neshad Mehmeti, autor i monografisë “Dëbimi i shqiptarëve – nga Kosova në Malësinë e Tetovës dhe nga Malësia e Tetovës në Kosovë (1999–2001)”, të cilën ai ia dhuroi Institutit.
Takimet vazhduan me prof. Myqereme Rusi, aktiviste e përkushtuar që gjatë luftës ndihmoi gra dhe fëmijë të dëbuar, si dhe me Tahir Abdullahu (Foto Kanoni), i cili ka dokumentuar përmes fotografisë dëbimin e kosovarëve.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Blerim Emini nga Neproshteni, ndërsa gazetari Harun Ibrahimi u shpreh i gatshëm të mbështesë institutin me materiale dhe dëshmi të tjera.
Falënderim i veçantë për prof. Fehari Ramadani për ndihmën në koordinimin e këtyre takimeve. IKKL vazhdon punën për dokumentimin dhe ruajtjen e së vërtetës historike.