MPB njofton qytetarët se nga sot nis zbatimi i plotë i hyrje-daljeve “EES”, jep detaje për dokumentet

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Kosovës se Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian nga sot (10 prill 2026) do të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të  Zonës Schengen. Siç kemi njoftuar më parë, ky sistem ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetor 2025…

Lajme

10/04/2026 15:34

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Kosovës se Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian nga sot (10 prill 2026) do të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të  Zonës Schengen.

Siç kemi njoftuar më parë, ky sistem ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetor 2025 deri në arritjen e zbatimit të plotë.

Sistemi EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, përmes mbledhjes së të dhënave si:

  • gjurmët e gishtërinjve;
  • fotografia e fytyrës;
  • të dhënat e dokumentit të udhëtimit.

Nga 10 prilli 2026, ky sistem zëvendëson plotësisht vulosjen manuale të pasaportave dhe mundëson identifikimin automatik të qëndrimeve të tejkaluara.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra (deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore), duke plotësuar këto kushte:

  • Të posedojnë pasaportë biometrike valide (e vlefshme të paktën 3 muaj pas datës së kthimit);
  • Të justifikojnë qëllimin e udhëtimit (turizëm, vizitë familjare, biznes, etj.);
  • Të kenë dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare për qëndrimin;
  • Të kenë biletë kthimi ose dëshmi për vazhdimin e udhëtimit;
  • Të mos jenë në listat e ndalimit të hyrjes në Schengen.

Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë sistem./Lajmi.net/