Sami Lushtaku i mbyll dy ordinanca në vendbanimet me serbë: Funksiononin nën menaxhimin e strukturave paralele, jashtë rendit kushtetues të Kosovës

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në vendbanimet me komunitet joserb në Banjë dhe Syriganë, të cilat sipas tij kishin funksionuar jashtë sistemit ligjor të Republikës së Kosovës. Sipas Lushtakut, vendimi është marrë pas pranimit dhe verifikimit të informatave, të cilat treguan se këto ambulanca operonin…

Lajme

10/04/2026 14:33

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në vendbanimet me komunitet joserb në Banjë dhe Syriganë, të cilat sipas tij kishin funksionuar jashtë sistemit ligjor të Republikës së Kosovës.

Sipas Lushtakut, vendimi është marrë pas pranimit dhe verifikimit të informatave, të cilat treguan se këto ambulanca operonin në mënyrë ilegale dhe nën menaxhimin e strukturave paralele, transmeton lajmi.net.

“Ajo që kemi gjetur është e papranueshme: medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencën e mjekut dhe shumë shkelje të tjera që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore”, ka deklaruar ai.

Ai theksoi se këto shkelje përbëjnë rrezik serioz për qytetarët.

“Kjo përveçse shkelje ligjore përbën rrezikim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, u shpreh Lushtaku.

Tutje, ai bëri të ditur se institucionet përgjegjëse janë njoftuar për rastin, përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, ndërsa janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.

Sipas tij, këto ambulanca mund të rikthehen në funksion vetëm pasi të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Lushtaku.

Postimi i plotë:
Pas pranimit të informatave dhe verifikimit të tyre, kam lëshuar urdhëresë për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në dy vendbanimet me komunitetin joshumicë serb në Banjë dhe në Syriganë, të cilat kishin filluar të funksiononin ilegalisht nën menaxhimin e strukturave paralele serbe, jashtë rendit kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës.
Ajo që kemi gjetur është e papranueshme: medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencën e mjekut dhe shumë shkelje të tjera që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore. Kjo përveçse shkelje ligjore përbën rrezikim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale.
Këto dy AMF mund të rikthehen në funksion vetëm kur të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës dhe të zbatojnë pa asnjë kompromis kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sepse vetëm në këtë formë mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve pa dallim!/lajmi.net/
SL