Pas më shumë se 25 vitesh, arrestohen xhaxhallarët e Stenaldos, vranë për të marrë hakun e babait të tij

Pas më shumë se 25 vitesh në arrati, në Itali janë arrestuar Artur dhe Arben Mëhilli, dy vëllezër të shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në Lushnje. Sipas hetimeve, Interpol Tirana arriti t’i identifikojë ata përmes krahasimit të fotografive dhe sistemit të njohjes së fytyrës, pasi prej vitesh jetonin me identitete të…

ShowBiz

10/04/2026 14:30

Pas më shumë se 25 vitesh në arrati, në Itali janë arrestuar Artur dhe Arben Mëhilli, dy vëllezër të shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në Lushnje.

Sipas hetimeve, Interpol Tirana arriti t’i identifikojë ata përmes krahasimit të fotografive dhe sistemit të njohjes së fytyrës, pasi prej vitesh jetonin me identitete të rreme në shtetin fqinj.

Dy vëllezërit akuzohen se në vitin 1999 kanë vrarë një të ri, Rezar Metaj, në një akt hakmarrjeje për vrasjen e mëparshme të vëllait të tyre, Sokol Mëhilli, ngjarje e ndodhur në vitin 1997 në Lushnje.

Për këtë krim, në vitin 2001 ata janë dënuar në mungesë nga Gjykata e Lushnjës me 32 vite burg në total.

Prej vitit 2000 e në vijim, Artur dhe Arben Mëhilli kishin jetuar në Itali me identitete të ndryshuara, duke u prezantuar si Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, dhe kishin arritur të siguronin edhe leje qëndrimi. Zbulimi i tyre u bë i mundur pas një sinjalizimi nga Italia dhe verifikimeve të mëtejshme nga autoritetet shqiptare.

Fillimisht, mungesa e shenjave të gishtërinjve në sistemin shqiptar e vështirësoi identifikimin, por më pas Interpol Tirana siguroi fotografi të vjetra të dy vëllezërve dhe i krahasoi me imazhet e reja përmes teknologjisë së njohjes së fytyrës, duke konfirmuar përputhjen e identitetit.

Në momentin e arrestimit, Artur Mëhilli ishte 60 vjeç, ndërsa Arbeni 54 vjeç. Ata pritet të ekstradohen në Shqipëri për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata.

Sokol Mëhilli, i vrarë në vitin 1997, rezulton të jetë babai i gazetarit Stenaldo Mëhilli, i njohur së fundi për pjesëmarrjen e tij në Big Brother VIP Albania, ku kishte treguar edhe historinë e vrasjes së të atit kur ishte foshnjë.

YouTube player