Reuters me paralajmërim: Trump shqyrton tërheqjen e një pjesë të trupave amerikane nga Evropa

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po konsideron mundësinë e tërheqjes së një pjese të trupave amerikane nga Evropa, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, raporton Reuters. Vendimi lidhet me pakënaqësinë e tij ndaj aleatëve të NATO-s, të cilët nuk kanë ofruar mbështetje për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit, si dhe…

Bota

09/04/2026 20:50

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po konsideron mundësinë e tërheqjes së një pjese të trupave amerikane nga Evropa, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, raporton Reuters. Vendimi lidhet me pakënaqësinë e tij ndaj aleatëve të NATO-s, të cilët nuk kanë ofruar mbështetje për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit, si dhe me ngecjen e planeve për blerjen e Groenlandës.

Zyrtari shtoi se nuk është marrë ende asnjë vendim dhe se Pentagoni nuk ka filluar të hartojë plane konkrete për reduktimin e trupave në kontinent. Diskutimet e brendshme tregojnë, megjithatë, për tensionin e rritur mes Uashingtonit dhe vendeve evropiane anëtare të NATO-s, ndërkohë që vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë nuk ka sjellë përmirësime të ndjeshme në marrëdhënie, transmeton lajmi.net.

Aktualisht, SHBA ka më shumë se 80 mijë trupa të vendosur në Evropë, duke përfshirë mbi 30 mijë në Gjermani dhe një numër të konsiderueshëm edhe në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë. Zyrtari nuk ka dhënë detaje për vendet që mund të preken ose për numrin e trupave që mund të tërhiqen.

Një periudhë e vështirë për NATO-n

Marrëdhëniet e Trump me NATO-n kanë qenë prej kohësh të tensionuara, për shkak të kritikave të tij për shpenzimet e ulëta të vendeve evropiane në mbrojtje. Sidoqoftë, muajt e fundit janë përshkruar si më të vështirët, veçanërisht pas rikthimit të kërcënimeve për aneksimin e Groenlandës nga ana e SHBA-së dhe shpërthimit të konfliktit me Iranin më 28 shkurt. Trump ka shprehur frustrim për mungesën e gatishmërisë së aleatëve për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimin global me energji.

Diplomatët e NATO-s kanë bërë të ditur se SHBA nuk ka specifikuar ende kapacitetet e kërkuara nga secili vend anëtar dhe nuk ka sqaruar nëse misioni në Ngushticën e Hormuzit do të zhvillohet gjatë apo pas konfliktit.

Disa raporte gjithashtu tregojnë se administrata po shqyrton transferimin e trupave nga vendet evropiane që kanë kritikuar qasjen amerikane ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, drejt vendeve më mbështetëse. Megjithatë, zyrtari i Shtëpisë së Bardhë theksoi se Trump po shqyrton kryesisht rikthimin e trupave në SHBA, dhe jo zhvendosjen e tyre në vende të tjera./lajmi.net/