Gjyqtarë, profesorë e ekspertë – Kush janë kandidatët për gjyqtarë të Kushtetueses?
Nga 22 kandidatë që ishin për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, lista që do tu dërgohet deputetëve të Kuvendin për votim është ngushtuar në 6. Komisioni i posaçëm, pas rezultateve të intervistimit të kandidatëve, përzgjodhi gjashtë prej tyre, e nga do zgjedhën vetëm dy. Listës e para i prinë Benina Kusari, e cila për 15 vite…
Lajme
Nga 22 kandidatë që ishin për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, lista që do tu dërgohet deputetëve të Kuvendin për votim është ngushtuar në 6.
Komisioni i posaçëm, pas rezultateve të intervistimit të kandidatëve, përzgjodhi gjashtë prej tyre, e nga do zgjedhën vetëm dy.
Listës e para i prinë Benina Kusari, e cila për 15 vite ishte eksperte ligjore në Ambasadën e Amerikane të Kosovës. Ajo kishte shërbyer edhe si trajnere në Akademinë e Drejtësisë së Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook e njëjta tha se ndihet e nderuar që është e para nga kandidatët e përzgjedhur.
“Jam e nderuar që jam renditur e para nga kandidatët për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe mirënjohëse për vlerësimin profesional të Komisionit! Në një proces të shënuar nga një konkurrencë e fortë profesionale, e vlerësoj thellësisht këtë vlerësim, duke qenë e vetëdijshme se vendimi përfundimtar i takon deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Do ta respektoj vendimin e tyre me konsideratën më të lartë!”- Benina Kusari, Kandidate për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese
Në listë është edhe Emine Abdyli-Pozhari, aktualisht Profesor Asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Abdyli Poazhari është bashkëshortja e ish-këshilltarit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
E njëjta nuk ishte zgjedhur anëtare e KPK-së, nga radhët e Fakulteteve Juridike, gjatë vitit 2024.
Edhe një tjetër profesor është në mesin e kandidatëve që synon ulësen e gjyqtarit të Kushtetueses. Flamur Mrasori, është profesor në departamentin e së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në UP, transmeton dukagjini.
Në të kaluarën ai ishte edhe kryetar i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Nga Kosova nuk është por këtu aktualisht vepron, Jorida Xhafaj e cila u është propozuar deputetëve të Kuvendit.
Profesoreshë aktualisht në kolegjin UBT, e njëjta ishte edhe pjesë e grupit punues që e hartoi draft kodin civil në Kosovë i cili vazhdon të mbes pezull për shkak të mosmiratimit nga legjislativi.
Në mesin e kandidatëve është vetëm një gjyqtare. Shpresa Emra e cila nga viti 2022 është kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren, synon të avancohet në institucionin më të lartë të drejtësisë.
Për dallim nga të tjerët, që nuk bagazh direkt nga e kaluara me të drejtën kushtetuese, profesori Zahir Çerkini, aktualisht asistent profesor në Universitetin Isa Boletini në Mitrovicë, një ndër lëndët që ligjëron edhe ajo e së drejtës kushtetuese krahasuese.
Vendimi për të propozuar dy gjyqtarët që duhet të emërohen nga Presidenti, merret me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, që janë të pranishëm dhe që votojnë, por duhet të bëhet me pëlqimin e shumicës së deputetëve nga komunitetet.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, kjo gjykatë përbëhet nga 9 gjyqtarë, e që aktualisht janë vetëm 7, pesë prej të cilëve u skadon mandati vitin e ardhshëm.