Dita e Kushtetutës, Hoti kritikon institucionet: Po e shkelin ata që betohen ta mbrojnë
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar me rastin e Ditës së Kushtetutës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të saj në praktikë dhe jo vetëm në deklarata simbolike. Përmes një postimi në Facebook, Hoti u shpreh se Kushtetuta përfaqëson themelin e shtetit, duke garantuar liritë, të drejtat dhe rendin demokratik në vend. Sipas…
Lajme
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar me rastin e Ditës së Kushtetutës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të saj në praktikë dhe jo vetëm në deklarata simbolike.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti u shpreh se Kushtetuta përfaqëson themelin e shtetit, duke garantuar liritë, të drejtat dhe rendin demokratik në vend. Sipas tij, ajo nuk është thjesht një dokument formal, por baza mbi të cilën ndërtohen drejtësia, barazia dhe përgjegjësia institucionale.
Ai kritikoi ashpër qasjen e disa zyrtarëve ndaj Kushtetutës, duke theksuar se ironia më e madhe qëndron tek fakti se pikërisht ata që betohen ta mbrojnë, shpesh janë ndër të parët që e shkelin atë.
Hoti shtoi se nuk mjafton që Kushtetuta të nderohet vetëm në një ditë të caktuar, ndërsa gjatë pjesës tjetër të vitit të trajtohet si pengesë politike. Sipas tij, respekti për Kushtetutën dëshmohet përmes veprimeve konkrete dhe jo vetëm përmes deklaratave.
Në fund, ai theksoi se Kosovës i nevojiten institucione që zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë, e jo që e interpretojnë atë sipas interesave të momentit. /Lajmi.net/