Smakiqi: VV mbahet mend për shkelje sistematike të Kushtetutës – 11 ligje të shpallura jokushtetuese, izoluan vendin ndërkombëtarisht

Kosova shënon sot Ditën e Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të vendit, i cili hyri në fuqi më 15 qershor 2008 dhe synon të rregullojë funksionimin e institucioneve dhe jetën politike. Megjithatë, zhvillimet politike në vend shpesh kanë përfunduar për interpretim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Nga qershori i vitit 2025 deri në janarin…

Lajme

09/04/2026 14:07

Kosova shënon sot Ditën e Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të vendit, i cili hyri në fuqi më 15 qershor 2008 dhe synon të rregullojë funksionimin e institucioneve dhe jetën politike.

Megjithatë, zhvillimet politike në vend shpesh kanë përfunduar për interpretim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Nga qershori i vitit 2025 deri në janarin e vitit 2026, Kushtetuesja ka vendosur për pesë raste që lidhen me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa vetëm gjatë muajit të kaluar ka shqyrtuar edhe tri raste të tjera me karakter politik.

Në një prononcim për Lajmi.net, avokati Xhevdet Smakiqi ka kritikuar ashpër zhvillimet e viteve të fundit, duke i cilësuar ato si cenim të rendit kushtetues.

Ai thotë se nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, periudha 2021–2026 shënon nivelin më të lartë të ndërhyrjeve dhe interpretimeve të saj.

“Prej kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës si akti më i lartë themeltar politik e juridik i RKS-së, kurrë më shumë se nga viti 2021 deri 2026 as nuk është shkelur, as nuk është cenuar dhe interpretuar, sidomos në vitin 2025 dhe 2026, panevojshëm, si pasojë e establishmentit të çoroditur anarkist politik të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, në këto vite janë ndërmarrë iniciativa ligjore dhe vendime që, sipas vlerësimit të tij, kanë cenuar rëndë rendin kushtetues.

“Në këto gati gjashtë vite 2021–2026, në skajet më ekstreme është cenuar Kushtetuta jonë, sidomos me disa projektligje të cilat nuk ishin hartuar nga zyrat ligjore të ministrive, as nga grupet punuese të ekspertëve ligjorë vendorë e ndërkombëtarë, por nga zyrat e LVV-së, në veçanti Ligji për KPK-në, Ligji për Byron për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për Zyrtarët Publikë, shkarkimet e udhëheqësve të institucioneve të pavarura si ish-kryesuesja e KQZ-së, znj. Daka, vendimet politike të Komisionit të KQZ-së kinse për moscertifikimin e Listës Serbe; të gjitha këto vendime, veprime e qasje kanë cenuar rëndë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe vetë parimet themelore të Kushtetutës sonë.”

Smakiqi përmend edhe pasojat ndërkombëtare që, sipas tij, kanë ardhur si rezultat i këtyre zhvillimeve.

“Për pasojë, kemi përjetuar pasoja të mëdha nga monitorimi i mekanizmave të BE-së si Komisioni Evropian, SHBA-ja, Komisioni i Venecias, raportet tjera ndërkombëtare dhe në fund edhe sanksione ekonomike nga BE-ja dhe politike nga SHBA-ja, si pezullimi i dialogut strategjik dhe sidomos mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës për shkak të parimit kushtetues që Kosova është shoqëri multietnike”, tha Smakiqi për lajmi.net

Ai shton se kjo periudhë do të mbahet mend për vendime që janë shpallur si jokushtetuese.

“Kjo shumicë parlamentare 2021–2026 do të mbahet mend për shkelje sistematike të Kushtetutës, me 11 ligje të shpallura jokushtetuese, me shkarkime jokushtetuese, me qasje dhe vendime kundër pakicës, duke e izoluar Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht”, u shpreh ai.

Në fund, ai bën thirrje për respektim më të madh të Kushtetutës në të ardhmen.

“Urojmë që në vitin tjetër të mos kemi vazhdimësi të shkeljeve të tjera të Kushtetutës së Kosovës, sepse kemi një Kushtetutë moderne, të avancuar, me parimet më të forta për mbrojtjen e demokracisë, lirisë së shprehjes, vlerave demokratike dhe mbrojtjen e pakicave. Kushdo që e shkel këtë Kushtetutë është anarkist dhe armik i përjetshëm i dëshmorëve të Kosovës, martirëve të saj dhe qytetarëve të saj të gjallë. Urime popullit tonë 9 Prilli 2008, Dita zyrtare e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e arritur me gjakun, djersën e mundin e brezave nga 1913 deri 2008”, tregoi ai.

Kujtojmë se ndryshimi i Kushtetutës kërkon votim të dyfishtë: dakordim nga dy të tretat e të gjithë deputetëve, dhe nga dy të tretat e deputetëve të komuniteteve pakicë. Pra, çdo ndryshim kërkon konsensus të gjerë.

Në një realitet ku Kushtetuta nuk lexohet njësoj nga të gjithë, Gjykata Kushtetuese mbetet shpesh vendi ku përfundojnë mosmarrëveshjet politike./Lajmi.net/