27 vjet nga masakra në “Lagjen e Re” dhe Rakoc, Haxhiu: Sakrifica nuk harrohet
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 9 prillin e vitit 1999, duke e cilësuar atë si një nga ditët më të rënda të luftës në Kosovë. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka kujtuar ngjarjet tragjike në “Lagjen e Re” dhe në Rakoc, ku atë ditë ranë 28 dëshmorë dhe 32 martirë.…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 9 prillin e vitit 1999, duke e cilësuar atë si një nga ditët më të rënda të luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka kujtuar ngjarjet tragjike në “Lagjen e Re” dhe në Rakoc, ku atë ditë ranë 28 dëshmorë dhe 32 martirë.
Ajo ka theksuar se në mesin e të rënëve kishte burra, gra, por edhe të rinj e të reja, të cilët, sipas saj, nuk u tërhoqën përballë dhunës, por zgjodhën të qëndrojnë dhe të sakrifikojnë për lirinë.
Në postimin e saj, Haxhiu ka përmendur edhe disa nga emrat e të rënëve, si Luminije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika, duke nënvizuar se sakrifica për liri ka qenë e përbashkët dhe e barabartë.
Ajo ka shtuar se edhe pas 27 vjetësh, kujtimi për të rënët e 9 prillit mbetet i gjallë dhe se është përgjegjësi e institucioneve dhe qytetarëve që kjo sakrificë të ruhet dhe të nderohet.
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, ka përfunduar Haxhiu. /Lajmi.net/