Aksion i policisë në Prizren: Një i arrestuar për vjedhje, tre të tjerë kapen në flagrancë
Policia e Kosovës në Prizren ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste të vjedhjes, ndërsa i njëjti ka pranuar të paktën pesë raste të kryera. Sipas një njoftimi për media, pas një pune operative-hetimore dhe grumbullimit të dëshmive, hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve në Prizren kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të…
Lajme
Policia e Kosovës në Prizren ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste të vjedhjes, ndërsa i njëjti ka pranuar të paktën pesë raste të kryera.
Sipas një njoftimi për media, pas një pune operative-hetimore dhe grumbullimit të dëshmive, hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve në Prizren kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin me inicialet M.G., i cili dyshohet për përfshirje në veprat penale “vjedhje” dhe “vjedhje e rëndë”.
Gjatë ndalimit, në trupin e të dyshuarit është gjetur edhe një substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Policia bën të ditur se, në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje edhe në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastet në fjalë.
Gjatë intervistimit, në prezencë të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka pranuar se ka kryer disa vjedhje në markete dhe vetura. Me vendim të prokurorit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto raste.
Ndërkohë, në një rast tjetër të ndodhur po të njëjtën ditë në orët e hershme të mëngjesit, policia ka arrestuar në flagrancë tre persona të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë. Nga ta janë sekuestruar një sasi e bizhuterive të arit, si dhe një automjet i përdorur në kryerjen e veprës.
Pas përfundimit të procedurave, stolitë e vjedhura i janë kthyer pronarit të ligjshëm, ndërsa tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit. /Lajmi.net/