​Opozita kërkon seriozitet nga Kurti për zgjedhjen e presidentit, LVV premton intensifikim të përpjekjeve

Kryeministri, njëherësh lideri i LVV-së, Albin Kurti, do t’i intensifikojë përpjekjet gjatë këtyre ditëve për zgjedhjen e presidentit, tha shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci. Ajo, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se do të bëjnë gjithçka për të shmangur zgjedhjet. “Kurti është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si kryetar i…

Lajme

08/04/2026 18:02

Kryeministri, njëherësh lideri i LVV-së, Albin Kurti, do t’i intensifikojë përpjekjet gjatë këtyre ditëve për zgjedhjen e presidentit, tha shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Ajo, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se do të bëjnë gjithçka për të shmangur zgjedhjet.

“Kurti është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si kryetar i LVV-së dhe përfaqësues i yni. Besoj se gjatë këtyre ditëve do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe presidenti të votohet brenda afatit që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër”, tha ajo.

Në anën tjetër, Vlora Çitaku nga PDK-ja kërkoi seriozitet më të madh nga Kurti për zgjedhjen e presidentit.

Ajo tha se deri tani Kurti nuk ka dërguar ftesë zyrtare PDK-së për zgjedhjen e presidentit.

“Jemi të interesuar që të luajmë rolin tonë pozitiv dhe konstruktiv që vendit t’i japim sa më parë institucione. Por përgjegjësi kryesor është shumica parlamentare. PDK-ja i ka 22 deputetë. Kuvendi i ka edhe 98 deputetë të tjerë që të jenë të mjaftueshëm që t’i zgjedhin të gjitha institucionet. LVV dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duhet ta trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit me seriozitet dhe përgjegjësi që një situatë e tillë imponon. Tash është radha që LVV-ja deklaratat e saj publike t’i konkretizojë në një letër të shkruar që PDK do ta shqyrtojë. Deri tani nuk kemi pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga LVV”, theksoi Çitaku.

Për zgjedhjen e presidentit foli të mërkurën edhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku.

Se a do të arrihet një zgjidhje për këtë çështje, ajo tha se varet nga Lëvizja Vetëvendosje si shumica parlamentare në vend.

“Është tepër e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë që Gjykata Kushtetuese ka vënë afate të qarta. Duhet seriozisht të bëhen diskutime intensive me qëllim të daljes nga kjo situatë dhe për t’i dhënë vendit një president. Ne presim që bisedimet të jenë gjatë ditëve të mbetura. Varet nga ata që kanë maksimumin e votave, por rreziku është shumë i madh që të shkojmë në zgjedhje në mungesë zgjidhjeje. Pa vullnetin politik të tyre nuk mund t’i jepet zgjidhje vendit”, tha ajo.

Ajo mohoi se në takimin e fundit mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ky i fundit i ka kërkuar postin e presidentit.

A ka kërkuar Abdixhiku që të jetë president në takimin me Kurtin?

“Këto janë dezinformata, ju keni marrë deklaratën zyrtare të Abdixhikut, i cili ka qenë prezent dhe i ka bërë këto negociata. Ne jemi të bindur dhe të gatshëm të japim kontribut në këto takime. Çfarëdo që diskutohet jashtë asaj që ne japim deklaratë zyrtare janë dezinformata”, tha ajo.

E ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, iu bëri thirrje partive politike që t’i lënë anash dallimet dhe të bëhen bashkë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.

“Urojmë që t’i lëmë anash të gjitha dallimet dhe të jemi bashkë që ta gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Uroj që të mos vijë situata që si ushtruese e detyrës së presidentes të shpall datën e zgjedhjeve. Nëse u duhem grupeve parlamentare, natyrisht që unë jam në shërbim të tyre të ndihmoj me takime. E rëndësishme është që partitë politike të dëshmojnë vullnet për të gjetur një zgjidhje”, theksoi ajo.