Emërohet drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë
Gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff ka marrë zyrtarisht detyrën si drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO në Kosovë (NALT), duke pasuar në këtë pozitë gjeneral brigade Sven Lange. Siç ka njoftuar misioni i NATO-s në Kosovë, ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës u mbajt në Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë, ku Schulte-Borghoff mori drejtimin e…
Lajme
Gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff ka marrë zyrtarisht detyrën si drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO në Kosovë (NALT), duke pasuar në këtë pozitë gjeneral brigade Sven Lange.
Siç ka njoftuar misioni i NATO-s në Kosovë, ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës u mbajt në Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë, ku Schulte-Borghoff mori drejtimin e misionit nga Lange, i cili e kishte udhëhequr NALT-in që nga marsi i vitit 2025.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Lange theksoi rëndësinë e besimit dhe bashkëpunimit në procesin e këshillimit, duke nënvizuar se suksesi i këtij misioni varet nga gatishmëria për të pranuar dhe zbatuar këshillat profesionale.
Drejtori i ri, Schulte-Borghoff, vlerësoi punën e paraardhësit të tij dhe u zotua se do të vazhdojë mbi bazat e krijuara, duke theksuar se është privilegj të punojë me një ekip të tillë profesional.
Ai ka një karrierë të pasur në Forcat e Armatosura të Gjermanisë, duke mbajtur pozita të larta në strukturat komanduese, në Ministrinë Federale të Mbrojtjes dhe në Komandën e Operacioneve Aleate (ACO/SHAPE). Po ashtu, është i diplomuar në Kolegjin e Mbrojtjes të NATO-s.
Misioni i NALT-it, që nga gushti i vitit 2016, është të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të mandatit të saj fillestar për mbrojtje civile.