Kurti takon drejtoreshën e NATO-s për Operacione, diskutohet për mundësinë e trajnimeve për FSK

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren. Gjatë këtij takimi, Kurti shprehu falënderime për angazhimin e NATO-së për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për Ministrinë e Mbrojtjes si organ kyç ndërlidhës dhe këshillues…

Lajme

08/04/2026 15:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren.

Gjatë këtij takimi, Kurti shprehu falënderime për angazhimin e NATO-së për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për Ministrinë e Mbrojtjes si organ kyç ndërlidhës dhe këshillues i aleancës veri-atlantike në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, kryeministri Kurti foli për mundësitë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të ndjekin trajnime ushtarake edukuese dhe profesionale në institucionet e NATO-s. E po ashtu, për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me standardet e aleancës veri-atlantike.

Kurti poashtu tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit.

Ai theksoi se Kosova është e përcaktuar, angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO.

Drejtorja e NATO-s për Operacione, Hallengren, ndërkaq, e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e ngushtë. Ndërsa, vlerësoi lartë vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gaza./Lajmi.net/