KQZ hap mundësinë për ndërrimin e qendrës së votimit jashtë zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se qytetarët tashmë mund ta ndryshojnë qendrën e votimit edhe në periudhë jozgjedhore. Ky shërbim, i bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, u mundëson votuesve që ta zgjedhin qendrën më afër vendbanimit të tyre, por vetëm brenda komunës ku janë të regjistruar, transmeton lajmi.net. Qytetarët mund…

Lajme

08/04/2026 14:07

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se qytetarët tashmë mund ta ndryshojnë qendrën e votimit edhe në periudhë jozgjedhore.

Ky shërbim, i bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, u mundëson votuesve që ta zgjedhin qendrën më afër vendbanimit të tyre, por vetëm brenda komunës ku janë të regjistruar, transmeton lajmi.net.

Qytetarët mund të verifikojnë dhe ndryshojnë qendrën e votimit përmes platformës online:
https://qv.kqz-ks.org
ose duke paraqitur kërkesë në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve.

KQZ sqaron se ndërrimi nga një komunë në tjetrën nuk bëhet drejtpërdrejt, por vetëm pasi votuesi të ndryshojë adresën në Zyrën e Gjendjes Civile ose përmes platformës E-Kosova.

Pas përditësimit të adresës, ndryshimi reflektohet automatikisht edhe në listën votuese.

Komunikata e plotë: 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar të mundësojë shërbimin për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës edhe në periudhë jozgjedhore.

Ofrimi i këtij shërbimi në periudhë jozgjedhore është obligim për KQZ-në nga Ligji Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ka për qëllim të lejojë ndërrimin e qendrës së votimit vetëm brenda komunës ku është i caktuar votuesi.

Ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda komunës është në vullnetin e votuesve, në rastet kur e shohin të nevojshme, në mënyrë që ta caktojnë atë sa më afër vendbanimit të tyre.

Gjatë ofrimit të këtij shërbimi, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta verifikojnë/mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre:

1.      përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose

2.      duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.

Pas paraqitjes së kërkesës, ajo do të trajtohet brenda një afati të shkurtër dhe votuesi do të njoftohet me kohë.

Ndërkaq, ndërrimi i qendrës së votimit nga një komunë në komunën tjetër, nuk mundësohet drejpërdrejtë nga KQZ, por kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit nga qytetarët/votuesit.

Për të kaluar nga një qendër votimi e një komune, në qendrën e votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova. Pas konfirmimit të ndryshimit të adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në Regjistrin Qendror Civil.

Çdo ndryshim i adresës së banimit, pas një kohe do të pasqyrohet  në platformën e KQZ-së https://qv.kqz-ks.org dhe rrjedhimisht në Listën Votuese./lajmi.net/