24 vite burgim për vrasjen e Erona Coklit, reagon OSBE: Vendimi mbetet subjekt i apelimit – Do të monitorojmë nga afër zhvillimet
Të premten me 3 prill, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim Valon Aliun, pasi e shpalli fajtor për vrasjen e ish-bashkëshortes së vet, Erona Cokli, në vitin 2024. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, e dënoi Aliun veçmas me 22 vjet burgim për vrasje të rëndë, 1 vit…
Lajme
Të premten me 3 prill, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim Valon Aliun, pasi e shpalli fajtor për vrasjen e ish-bashkëshortes së vet, Erona Cokli, në vitin 2024.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, e dënoi Aliun veçmas me 22 vjet burgim për vrasje të rëndë, 1 vit për armëmbajtje pa leje dhe 2 vjet për kanosje, por atij iu shqiptua dënimi unik prej 24 vjetësh burgim në bazë të dispozitave ligjore.
Në këtë dënim, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli i vitit 2024.
Në lidhje me këtë dënim, misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se e marrin parasysh këtë vendim që ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme publike.
Ata kanë thënë se vendimi nuk është ende përfundimtar dhe mbetet subjekt i apelimit, por përfaqëson një moment të rëndësishëm për llogaridhënie.
“Në të njëjtën kohë, rasti thekson rëndësinë e vazhdueshme të përgjigjeve efektive institucionale ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e grave në rrezik. Misioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet, përfshirë lëshimin e vendimit me shkrim, në përputhje me mandatin e tij për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të promovuar llogaridhënien”, thuhet në reagim të OSBE-së.
Cokli u vra në moshën 21-vjeçare në prill të vitit 2024 në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj (QPS). Si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua menjëherë ish-bashkëshorti i saj, me të cilin ajo e kishte një djalë një vjeç e dy muaj.
Çifti ishte i shkurorëzuar për gati një vit dhe Erona e kishte detyrim ligjor ta takonte të birin me të atin çdo javë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
Në takimin që do të bëhej i fundit për ta në prill 2024, ajo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i saj Driloni, 15 vjeç, që e shoqëronte, u plagos.
Gjykata vendosi gjithashtu se Aliu zotëronte pa leje një pistoletë të tipit “ZORAKI M 2906-T”, e cila është konfiskuar në mënyrë të përhershme.
Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra – shumica nga bashkëshortët e tyre. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: