Punëtorët e Postës pa pagën e 13-të, Shala: Si veteranë na quajtën ndërmarrje shtetërore, tani vetëfinancuese
Edhe punëtorët e Postës së Kosovës nuk janë përfshirë në pagën e 13-të, ndërsa përfaqësuesit e sindikatës e kanë cilësuar këtë si trajtim të padrejtë dhe të paqartë nga institucionet. Bujar Shala nga Sindikata e Punëtorëve të Postës ka deklaruar se institucionet po e ndryshojnë interpretimin për statusin e ndërmarrjes varësisht nga rasti, duke krijuar…
Lajme
Edhe punëtorët e Postës së Kosovës nuk janë përfshirë në pagën e 13-të, ndërsa përfaqësuesit e sindikatës e kanë cilësuar këtë si trajtim të padrejtë dhe të paqartë nga institucionet.
Bujar Shala nga Sindikata e Punëtorëve të Postës ka deklaruar se institucionet po e ndryshojnë interpretimin për statusin e ndërmarrjes varësisht nga rasti, duke krijuar pabarazi për punëtorët.
“Kinse jemi ndërmarrje publike vetëfinancuese. Ndërsa, kur ka qenë rasti për kolegët, një ndër ta edhe unë, kur kemi aplikuar për veteranë, na kanë thënë se jeni ndërmarrje shtetërore. Kur është në pyetje paga e 13-të, na konsiderojnë ndërmarrje publike vetëfinancuese”, ka theksuar Shala në emisionin FIVE.
Ai ka theksuar se kjo qasje është e padrejtë dhe se nuk duhet të ketë ndarje të tilla për ndërmarrjet, varësisht nga përfitimet.
Sipas tij, sindikata tashmë ka paraqitur kërkesat te menaxhmenti i Postës, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje konkrete.
“Kemi parashtruar kërkesa te menaxhmenti, por ende nuk kemi marrë diçka definitive. Jemi në pritje”, ka deklaruar Shala.