Kurti zgjodhi të vizitojë familjen e Stakës nga “Meditech” që fitoi mbi 174 tenderë mbi 89 milionë euro gjatë qeverisjes së VV

Kompania “Meditech”, në pronësi të Stak Stakës me rreth 70% të aksioneve dhe Arianit Jakupit me 30%, vazhdon të përfitojë kontrata të mëdha nga institucionet shtetërore, duke ngritur pikëpyetje për konflikt interesi dhe favorizim në sektorin e shëndetësisë. Saktësisht që në vitin 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje mori pushtetin, “Meditech” me ka arritur që të fitoj…

Lajme

07/04/2026 12:00

Kompania “Meditech”, në pronësi të Stak Stakës me rreth 70% të aksioneve dhe Arianit Jakupit me 30%, vazhdon të përfitojë kontrata të mëdha nga institucionet shtetërore, duke ngritur pikëpyetje për konflikt interesi dhe favorizim në sektorin e shëndetësisë.

Saktësisht që në vitin 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje mori pushtetin, “Meditech” me ka arritur që të fitoj plotë 174 tenderë publikë, në vlerë mbi 89 milionë euro.

3 tenderët e fundit u fituan më 22 dhjetor të vitit 2025, për furnizimin me material për Hemodializë për nevojat e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, “Meditech” i fitoi 40 tenderë vetëm brenda vitit 2025.

55 i fitoi në vitin 2024. 47 i fitoi në vitin 2023. 23 në vitin 2022 dhe 9 në vitin 2021.

Të gjithë këta tenderë ishin dhënë nga institucionet shtetërore si: Ministria e Shëndetësisë, QKUK-ja, Shërbimi Spitali dhe Klinik Universitar i Kosovës dhe institucione të tjera përkatëse të shëndetësisë publike.

Vetëm brenda 48 orëve në muajin korrik “Meditech” kishte siguruar kontrata në vlerë mbi 4.8 milionë euro, përfshirë këtu një marrëveshje shtesë me Ministrinë e Shëndetësisë në vlerë prej 430 mijë eurosh.

E njëri nga pronarët e kësaj kompanie që është Arianit Jakupi, ka arritur që të mbajë edhe pozita publike siç është posti i Kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, më pas të kryetarit të Odës së Farmacistëve të Kosovës si dhe ekspert i Jashtëm i Shëndetësisë, derisa në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Arben Vitia.

Madje duke shkuar edhe më larg, në vitin 2023, Jakupi kishte qenë pjesë e grupit punues për programet specifike me barna dhe material medicinal nga lista e barnave esenciale për vitin 2023 në cilësinë e ekspertit të jashtëm. Gjatë kohës së tij në këtë pozitë, ishte hartuar edhe Lista Esenciale e Barnave, ku përfshihen edhe barna të kushtueshme që importohen nga “Meditech”. Kjo ka ngritur dyshime se kompania mund të ketë përfituar përmes kontratave pa konkurrencë të plotë, shkruan lajmi.net.

Dhe siç edhe pritej, tenderët për furnizim me barna nga lista esenciale i fitoi pikërisht kompania e tij dhe e Stakës, “Meditech”.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti zgjodhi që pikërisht për festën e Pashkëve në Prishtinë ta vizitojë profesorin 97-vjeçar Pashk Staka, e që është pikërisht babai i  Stak Stakës, aksionarit tjetër të kësaj kompanie.

“Sot, me rastin e festës së Pashkës, pata kënaqësinë të vizitoj bacën Pashk Staka…”, ka shkruar Kurti, duke përshkruar mikpritjen dhe bisedat për historinë familjare dhe zhvillimet shoqërore.

“Sot, me rastin e festës së Pashkës, pata kënaqësinë të vizitoj bacën Pashk Staka, ish profesor i gjuhës shqipe, 97 vjeçar, i cili na priti me shumë dashamirësi në banesën e tij në Prishtinë, së bashku me bashkëshorten e tij Anjeza Gjoni-Staka, 89 vjeçare, vajzat Gloria dhe Mika, nipin Engjëllin dhe mbesën Sarën, mua dhe Rozeta Hajdarin. Gjatë bisedës mësuam edhe për jetën dhe kontributin e zonjës Anjeza, e cila kishte qenë këngëtare në Shoqërinë Kulturore-Artistike “Agimi” në Prizren, e më pas mësuese në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, një rrugëtim i bukur në shërbim të kulturës dhe arsimit. E falënderuam bacën Pashk për mikpritjen dhe për bisedën e këndshme e të pasur, që përfshiu tema nga historiku i NDSh-së dhe familjes Staka, deri te zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore. I urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë”, shkroi ai.
E kjo vizitë e Kurtit ngreh edhe më tepër dyshimet e opinionit publik në lidhje me përfitimet e mundshme të kompanisë “Meditech” falë qeverisjes së Vetëvendosjes dhe dhënies së tenderëve milionësh.

Përfitimet e kompanisë “Meditech” u ngritën si çështje diskutimi shpesh herë edhe në Kuvendin e Kosovës, pikërisht nga deputetët e komisionit për Shëndetësi e që njihni nga afër këto përfitime./Lajmi.net/