Azemi: Po fshihen provat për njehsorët, qytetarët po paguajnë më shtrenjtë

Sekretari organizativ i LDK-së, Visar Azemi, ka bërë të ditur se është ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për të dhënë dëshmi lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë, për të cilën ai thotë se ka mbledhur prova nga qytetarët. Ai ka theksuar se ndodhet në proces të dëshmisë dhe se po paraqet deklaratën e tij…

Lajme

07/04/2026 09:50

Sekretari organizativ i LDK-së, Visar Azemi, ka bërë të ditur se është ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për të dhënë dëshmi lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë, për të cilën ai thotë se ka mbledhur prova nga qytetarët. Ai ka theksuar se ndodhet në proces të dëshmisë dhe se po paraqet deklaratën e tij si dëshmitar, duke shprehur besim se institucionet e drejtësisë do ta trajtojnë rastin siç duhet.

Në këtë kontekst, Azemi ka lënë të kuptohet se ky rast, sipas tij, është duke u minimizuar nga institucionet përkatëse, duke përfshirë edhe KED-in dhe ministrinë, për të cilat ai pretendon se ende po manipulojnë me qytetarët.

“Unë jam ftuar sot nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqit dëshmitë e mia dhe të qytetarëve. Jam në proces të dëshmisë dhe po e jap deklaratën time si dëshmitar dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, Gjykatën e Kosovës, shpresoj që kjo të merr zgjidhjen e merituar… Ky skandal po mundohet me u minimizu nga ana e KED-sit dhe ministrisë ku akoma po manipulojnë me qytetarët”.

Tutje, ai ka potencuar se ky është një nga rastet kryesore në të cilat është duke u angazhuar, duke kërkuar që të mos ketë ndërhyrje në proces dhe që provat e qytetarëve të ruhen.

“Ky është skandali kryesor në të cilin unë po punoj për të bërë një zgjidhje. Prandaj në Prokurori po e jap këtë dëshmi, në Polici po e jap këtë dëshmi dhe po kërkoj që mos të lejohen intervenimet që të hiqen provat nga qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Azemi.

Në fund, Azemi ka shprehur shpresën që procesi të përfundojë me sukses dhe qytetarët të kompensohen për dëmet e mundshme, duke shtuar se do të vazhdojë dëshminë e tij.

“Uroj që ky proces të shkoj mirë dhe qytetarët të kompensohen në fund… Unë po kthehem prapë brenda për të vazhduar dëshminë time”, tha Azemi.

Ndërkohë, LDK pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar, rreth 87% e tyre faturojnë qytetarët më shtrenjtë, madje edhe kur aplikohet tarifa më e lirë, çështje kjo që pritet të jetë pjesë e hetimeve të mëtejshme. /Lajmi.net/