11 vjet burgim për burrin nga Fushë-Kosova që tentoi ta vriste gruan e tij

I pandehuri Idriz Alija është dënuar sot me 11 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda, pasi më 6 gusht 2024 në Bresje të Fushë-Kosovës tentoi të vriste bashkëjetuesen e tij, Sherife Tahiri. Ai e qëlloi atë me armë zjarri dhe më pas e goditi rëndë, ndërsa ngjarja ndodhi edhe…

Lajme

07/04/2026 09:35

I pandehuri Idriz Alija është dënuar sot me 11 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda, pasi më 6 gusht 2024 në Bresje të Fushë-Kosovës tentoi të vriste bashkëjetuesen e tij, Sherife Tahiri.

Ai e qëlloi atë me armë zjarri dhe më pas e goditi rëndë, ndërsa ngjarja ndodhi edhe në prani të djalit të saj të mitur, raporton lajmi.net.

Si pasojë, viktima pësoi plagë të rënda dhe të rrezikshme për jetën dhe u trajtua në spital. Gjykata e shpalli fajtor edhe për posedim të paligjshëm të armës, si edhe për mosrespektim të vendimit të mëhershëm të gjykatës që ia ndalonte t’i afrohej viktimës.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar. Përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T., duke ecur në rrugë, i ka përcjellë nga mbrapa.

Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largojë nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës, e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.

Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, thuhet se të dëmtuarës i shkaktohen tri plagë hyrëse-tejshkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën./Lajmi.net/