“70% të pagës, Mbrojtje të Afërt, personel zyre”- Privilegjet që i gëzon Vjosa Osmani dhe familja pas përfundimit të mandatit

Që nga 5 prilli i vitit 2021, shtetin e Kosovës e ka drejtuar Vjosa Osmani. Gjatë pesë viteve, që udhëhoqi shtetin, ajo shfrytëzoi të drejtat dhe benefitet që i takonin me ligj. Pesë vite pas zgjedhjes, ndonëse mandati përfundoi, ajo vazhdon të shfrytëzoj disa prej këtyre benefiteve. Në bazë të këtij ligji, ajo ka të…

Lajme

06/04/2026 18:11

Që nga 5 prilli i vitit 2021, shtetin e Kosovës e ka drejtuar Vjosa Osmani. Gjatë pesë viteve, që udhëhoqi shtetin, ajo shfrytëzoi të drejtat dhe benefitet që i takonin me ligj.

Pesë vite pas zgjedhjes, ndonëse mandati përfundoi, ajo vazhdon të shfrytëzoj disa prej këtyre benefiteve.

Në bazë të këtij ligji, ajo ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është 70% e pagës të cilën e ka marrë si kryetare shteti. Osmani dhe familja e saj, pra bashkëshorti dhe fëmijët kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.

“Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore”,thuhet specifikisht në ligj.

Gjithashtu, presidentja Osmani si dhe familja e saj e ngushtë do të kenë përjcellje zyrtare pra mbrojtje të afërt për tri vitet e ardhshme.

Ish-presidentes do t’i lejohet të marrë pjesë në manifestime shtetërore sipas radhës protokollare të Kosovës.

Ish presidentja Osmani, bashkë me burrin e saj, Ligji u lejon që ta përdorin pasaportën diplomatike të Kosovës tërë jetën, kurse fëmijët e tyre kanë të drejtë deri në moshën 18-vjeçare.

“Presidenti i Republikës së Kosovës ka të drejtë në shpenzimet materiale për aktivitetet e tij/saj, në rastet kur këto aktivitete ushtrohen në cilësinë e ish-Presidentit. Mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni sigurohen nga buxheti i përcaktuar për Zyrën e Presidentit të Kosovës.” – thuhet në ligj.

Ligji e përcakton njëashtu se në periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të presidentit, nuk mund të jenë më shumë se tre persona në personel profesional të zyrës.

“Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidenti”, thuhet në ligj.

Ndër përfitimet kryesore që parashihen përfshihen:

  • Pension i veçantë shtetëror: Ish-presidentët kanë të drejtë në një kompensim financiar të përhershëm, i cili zakonisht lidhet me një përqindje të pagës së presidentit në detyrë.
  • Sigurim dhe mbrojtje fizike: Për arsye sigurie, shteti ofron mbrojtje të vazhdueshme për një periudhë të caktuar, e në disa raste edhe afatgjatë.
  • Zyrë dhe staf mbështetës: Ish-presidentët mund të kenë në dispozicion një zyrë pune dhe staf administrativ për të vazhduar aktivitetet publike ose përfaqësuese.
  • Automjet zyrtar dhe shpenzime operative: Në funksion të angazhimeve të mundshme, parashihen edhe mjete logjistike dhe mbështetje financiare.

Këto benefite, sipas ligjit në fuqi në Kosovë, i takojnë Osmanit dhe çdo President/e tjetër që e përfundon mandatin e tij të plotë pesë vjeçar për shkaqe sigurie dhe kontributi që ata kanë dhënë gjatë pesë viteve për shtetin.

Osmani gjatë pesë viteve në krye të shtetit, shpesh është lavdëruar por edhe shpesh është kritikuar, pasi nga opozita është parë si “notere e Albin Kurtit”, duke marrë vendime që i konvenonin atij.

Një nga këto vendime, është edhe ai për caktimin e datës së zgjedhjeve me 28 dhjetor, pas kërkesës së Albin Kurtit dhe VV-së.

Këtë e kishte pranuar edhe vetë Osmani në një intervistë derisa ende kishte pozitën e Presidentes.

“Pra, a ia pasna organizuar unë pas shtatorit puçin zotit Kurti, duke ia dhënë datën 28 dhjetor, a duke ia hequr masat Kosovës?” deklaroi Osmani ndër të tjera në Syri tv.

Ndonëse se bëri shumë për Kurtin, ai nuk ia dha asaj edhe një mandat.

Kurti nuk e propozoi Osmanin edhe për një 5 vjeçar në krye të shtetit, ndonëse ajo e kishte thënë publikisht se është gati ta udhëhiqte shtetin përsëri por kjo gjë nuk gjeti mbështetje.

30 ditë para se Osmani ta përfundonte mandatin, Kurti propozoi Glauk Konjufcën për President, por që opozita nuk qëndroi në sallë duke mos arritur që i njëjti të zgjidhet President. Pas kësaj seance, Osmani nënshkroi dekretin për shpërndarje të Kuvendit, e që VV e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese.

Këtë dekret Kushtetuesja e shpalli antikushtetues, duke i dhënë VV-së dhe Kurtit edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin.

Më 4 prill, këtë të shtunë, Osmani i ka dhënë detyrën ushtrueses së detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiut. Ajo do të udhëheq shtetin deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Nëse ky President nuk zgjidhet për 34 ditë, vendi përsëri shkon në zgjedhje.

Gjatë mandatit, Osmani theksoi arritjet në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë avancimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, zgjerimin e njohjeve, liberalizimin e vizave dhe hapa drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në fund të mandatit, ajo deklaroi se gjatë pesë viteve në krye të shtetit është udhëhequr nga parime të qarta: mbrojtja e interesit shtetëror, forcimi i aleancave ndërkombëtare dhe ruajtja e integritetit institucional. /Lajmi.net/