Prokuroria Speciale kërkon paraburgim ndaj pjesëtarit të MUP-it, i dyshuar për rrahje, tortura dhe shkatërrim shtëpish gjatë vitit 1999 në Kaçanik
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut. Sipas Prokurorisë,…
Lajme
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.
Sipas Prokurorisë, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut, më 9 mars 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe, mori pjesë në një aksion të organizuar kundër popullsisë civile shqiptare. Gjatë këtij aksioni, banorët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan.
Sipas komunikatës, 91 meshkuj u ndanë nga rreth 400 burra, gra, pleq dhe fëmijë të grumbulluar dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik. Ndër ta, 13 civilë u ndaluan me qëllim të marrjes në pyetje dhe gjatë qëndrimit aty u rrahën dhe u torturuan në mënyrë brutale, çnjerëzore dhe psikike nga i pandehuri A.D., duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Kërkesa e Prokurorisë Speciale për paraburgim synon të sigurojë pjesëmarrjen e të dyshuarit në procedurat gjyqësore dhe të mbrojë integritetin e hetimeve për krimet e kryera gjatë luftës në Komunën e Kaçanikut. /Lajmi.net/