Çmimi maksimal ditor i derivateve hyn në fuqi: MINT-i publikon çmimet për dizel dhe benzinë, inspektimet intensifikohen
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se nga data 5 prill 2026 hyn në fuqi vendimi i ri për përcaktimin e çmimit maksimal ditor të derivateve të naftës në Republikën e Kosovës. Vendimi synon rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë në formimin e çmimeve, duke siguruar një qasje më të drejtë dhe…
Lajme
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se nga data 5 prill 2026 hyn në fuqi vendimi i ri për përcaktimin e çmimit maksimal ditor të derivateve të naftës në Republikën e Kosovës. Vendimi synon rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë në formimin e çmimeve, duke siguruar një qasje më të drejtë dhe të unifikuar në treg.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka nënshkruar mekanizmin e ri ditor të çmimeve maksimale të lejuara për derivatet e naftës, i cili do të publikohen çdo ditë, jo më vonë se ora 10:00, bazuar në mesataren e importeve të përditësuara: 10 milion litra për dizelin dhe 1 milion litra për karburantet e tjera. Për ditën 5 prill, çmimet maksimale janë:
Nafta (dizel): 1.86 euro/litër
Benzina: 1.49 euro/litër
MINTI thekson se asnjë operator ekonomik nuk lejohet të tejkalojë çmimet e publikuara, ndërsa zbatimi do të mbikëqyret nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës.
Sipas Ministrisë: “Këto masa nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të sanksionojnë asnjë subjekt ekonomik. Ato janë të hartuara për të siguruar barazi në treg, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të reflektuar kujdes të shtuar në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale të derivateve të naftës.”
Vendimi pritet të ofrojë stabilitet për qytetarët dhe bizneset, duke parandaluar luhatjet e menjëhershme të çmimeve dhe duke rritur besueshmërinë në tregun vendor të karburanteve. /Lajmi.net/