IKD kritikon Kryesinë e Kuvendit për moszgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kritikuar Kryesinë e Kuvendit për refuzimin e përzgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm dhe shpalljen e një konkursi të ri “pa asnjë bazë ligjore”, duke e cilësuar këtë si “një nga shembujt më të qartë të mosrespektimit të ligjit, zvarritjes institucionale dhe vendimmarrjes arbitrare”. IKD thekson se procesi për…

Lajme

04/04/2026 11:23

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kritikuar Kryesinë e Kuvendit për refuzimin e përzgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm dhe shpalljen e një konkursi të ri “pa asnjë bazë ligjore”, duke e cilësuar këtë si “një nga shembujt më të qartë të mosrespektimit të ligjit, zvarritjes institucionale dhe vendimmarrjes arbitrare”.

IKD thekson se procesi për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm ka përfunduar ligjërisht më 30 dhjetor 2024, me dy kandidatët e propozuar, Arben Loshi dhe Taulant Bajrami, dhe se Kryesia ka qenë e obliguar që “brenda 30 ditëve nga shpallja e kandidatëve fitues të përzgjedhë njërin prej tyre”.

Instituti paralajmëron se vendimi për të shpallur një konkurs të ri përbën “devijim të qartë nga qëllimi i procedurës së rekrutimit si dhe cenon të drejtat e ligjshme dhe sigurinë juridike të kandidatëve të përfshirë në këtë proces”.

IKD i bën thirrje Kuvendit të Kosovës “të rikthejë ligjshmërinë në këtë proces, duke përzgjedhur menjëherë njërin nga kandidatët e propozuar dhe duke ndalur praktikat arbitrare që cenojnë integritetin e administratës publike”.

Komunikata e plotë: 

Kryesia e Kuvendit të rikthejë ligjshmërinë dhe të përzgjedhë njërin nga kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm të Kuvendit

Prishtinë, 4 prill 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se refuzimi i Kryesisë së Kuvendit për të përzgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe shpallja e konkursit të ri pa asnjë bazë ligjore përbën një nga shembujt më të qartë të mosrespektimit të ligjit, zvarritjes institucionale dhe vendimmarrjes arbitrare nga vetë institucioni që duhet të garantojë sundimin e ligjit.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore për përzgjedhjen e Sekretarit të Kuvendit dhe propozimit të suksesshëm të dy (2) kandidatëve për votim, në mënyrë arbitrare ka vendosur që të mos votoj asnjërin prej tyre dhe të shpallë konkurs të ri. Kjo mënyrë e veprimit është në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi, duke përbërë një vendim arbitrar që cenon sigurinë juridike të kandidatëve të përfshirë në proces si dhe duke rrezikuar krijimin e një standardi të rrezikshëm institucional. Pos kësaj, kjo mënyrë e veprimit është duke e lënë, ligjërisht, Kuvendin e Kosovës pa sekretar, e cila pozitë në asnjë rrethanë nuk mund të mbulohet me ushtrues detyre më gjatë se dy (2) vite. 

Procesi për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm ka filluar më 31 gusht 2024, me shpalljen e konkursit publik për këtë pozitë të kategorisë së lartë drejtuese. Konkursi ka qenë i hapur deri më 29 shtator 2024 dhe në të kanë aplikuar njëmbëdhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm pesë kanë plotësuar kriteret ligjore dhe kriteret e konkursit.

Pas verifikimit të aplikacioneve, Drejtoria për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore ka vazhduar procedurat me emërimin e Komisionit ad-hoc, organizimin e testit me shkrim më 21 nëntor 2024 dhe intervistave me gojë më 25 nëntor 2024. Më 26 nëntor 2024 janë publikuar rezultatet përfundimtare, ndërsa pas kalimit të afatit për ankesa dhe konfirmimit nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil se nuk është paraqitur asnjë ankesë, më 30 dhjetor 2024 raporti përfundimtar i është dorëzuar Kryesisë së Kuvendit për vendimmarrje.

Në këtë proces, dy kandidatët që kanë kaluar pragun ligjor dhe janë propozuar për përzgjedhje kanë qenë Arben Loshi me 90.2 pikë dhe Taulant Bajrami me 88.2 pikë. Nuk ka pasur asnjë ankesë, asnjë kontestim procedural dhe asnjë vërejtje për ligjshmërinë e procesit.

Sipas nenit 19 të Rregullores së Kuvendit, si dhe neneve 47 dhe 49 të Ligjit për Zyrtarët Publik, Kryesia e Kuvendit në Legjislaturën e VIII-të ka qenë e obliguar që brenda 30 ditëve nga shpallja e kandidatëve fitues të përzgjedhë dhe emërojë njërin nga kandidatët e propozuar. Ky afat ka skaduar prej kohësh dhe Kryesia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta zbatuar ligjin.

Për më tepër, Kuvendi i Kosovës ka qenë funksional deri më 22 mars 2025 dhe ka pasur kohë të mjaftueshme për ta përmbyllur këtë proces. Mosveprimi i tij, si deri më këtë datë ashtu edhe pas kësaj date, nuk arsyetoj një veprim të kundërligjshëm që cenon të drejtat e ligjshme të kandidatëve të përfshirë në këtë procedurë. Mungesën e pasojave juridike për tejkalim të afatit e evidenton edhe vet opinioni juridik i Kuvendit.

Edhe vetë opinioni juridik i përgatitur për Kryesinë e Kuvendit konstaton se Drejtoria për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë, nga shpallja e konkursit deri te dorëzimi i raportit final për përzgjedhje. Në asnjë pjesë të këtij opinioni nuk konstatohet se procesi ka pasur shkelje, mangësi ose arsye ligjore për anulim.

Kështu, vendimi për të propozuar anulimin e konkursit dhe shpalljen e një konkursi të ri nuk ka bazë ligjore, përbën devijim të qartë nga qëllimi i procedurës së rekrutimit si dhe cenon të drejtat e ligjshme dhe sigurinë juridike të kandidatëve të përfshirë në këtë proces. Kryesia nuk ka pasur përpara një proces të dështuar, por një proces të përfunduar, të ligjshëm dhe të pakontestuar, ku ka qenë e obliguar të zgjedhë njërin nga dy kandidatët e propozuar.

Në këtë rast, moszgjedhja e kandidatit nuk është thjesht një lëshim procedural. Ajo përbën refuzim për të zbatuar ligjin sipas rezultatit të një procesi të ligjshëm administrativ. Kështu, kjo mënyrë e veprimit paraqet ndërhyrje arbitrare në një procedurë që tashmë kishte përfunduar.

Më shqetësues është fakti se propozimi për anulimin e konkursit nuk ka marrë as mbështetjen e nevojshme në Kryesi. Me tre vota për dhe tre abstenime, Kryesia nuk ka arritur të marrë asnjë vendim përfundimtar, duke e lënë Kuvendin në një situatë të papranueshme të paralizës së një institucioni të rëndësishëm.

Kjo situatë krijon një precedent të rrezikshëm për të gjitha institucionet publike, duke dërguar mesazhin se afatet ligjore mund të injorohen, proceset e përmbyllura mund të anulohen në mënyrë arbitrare dhe kandidatët fitues mund të anashkalohen pa asnjë arsye ligjore.

IKD konsideron se përgjegjësia për këtë situatë bie fillimisht mbi Kryetaren e Kuvendit të Kosovës dhe në anën tjetër mbi të gjithë anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, përfshirë edhe përfaqësuesit e opozitës, të cilët, siç shihet nga procesverbali i mbledhjes së Kryesisë të mbajtur më 2 mars 2026, nuk kanë reaguar ndaj shkeljeve të qarta ligjore dhe nuk kanë insistuar në përmbylljen e procesit sipas ligjit, por kanë abstenuar kur është propozuar anulimi i konkursit.

Në anën tjetër, duhet theksuar sipas Ligjit Nr.08/L-294 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publik, një pozitë mund të mbahet me Ushtrues Detyre maksimum deri në 2 (2) vite. Në përputhje me standardin e vendosur nga Gjykata Supreme, kjo periudhë kohore i referohet pozitës dhe jo personit, ashtu që ndryshimi i emrit të personit nuk zgjat mundësinë e mbajtjen së një pozite me UD. Andaj, sipas ligjit, pas periudhës (2) vjeçare, një pozitë nuk mund të mbahet fare me UD. Krahas shkeljeve të tjera të evidentuara më lartë, ky është një argument tjetër për urgjencën e nevojshme që Kuvendi të përfundoj këtë procedurë të rregullt të rekruetimit, duke përzgjedhur njërin nga kandidatët e propozuar.

Prandaj, IKD i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që të rikthejë ligjshmërinë në këtë proces, duke përzgjedhur menjëherë njërin nga kandidatët e propozuar dhe duke ndalur praktikat arbitrare që cenojnë integritetin e administratës publike, funksionimin normal të Kuvendit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e vendit./lajmi.net/