Arrestohet një i dyshuar për mashtrim miliona eurosh me prona në Ferizaj
Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me mashtrime pronësore me vlerë të lartë. Sipas njoftimit zyrtar, njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë intervistuar të dyshuarin B.L. (1990), i cili dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka…
Lajme
Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me mashtrime pronësore me vlerë të lartë.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë intervistuar të dyshuarin B.L. (1990), i cili dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer veprat penale “mashtrim”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”, transmeton lajmi.net.
Hetimet tregojnë se të dyshuarit, përmes falsifikimit të dokumenteve të identifikimit dhe certifikatave të pronësisë, kanë arritur të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme një pronë prej rreth shtatë hektarësh në komunën e Ferizajt. Vlera e kësaj prone vlerësohet të jetë rreth 3 milionë euro.
Sipas Policisë, pas përvetësimit të paligjshëm, prona është parcelizuar dhe më pas u është shitur personave të tretë.
Gjatë aksionit policor është realizuar një bastisje në një lokacion, ku janë sekuestruar një telefon mobil dhe dokumente që lidhen me rastin. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Autoritetet bëjnë të ditur se ky rast lidhet me një operacion të mëhershëm, ku më 19 shkurt 2026 ishin arrestuar edhe katër persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në të njëjtat vepra penale.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për luftimin e krimeve ekonomike dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.