VV i dërgon letër Osmanit, kanë një kërkesë për të
Vetëvendosje po insiston t’i ketë tre anëtarë në KQZ, ndërsa PDK tha se vendimi i Kushtetueses argumenton se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë, ndërsa dy vendet e mbetura në raundin e dytë…
Lajme
Vetëvendosje po insiston t’i ketë tre anëtarë në KQZ, ndërsa PDK tha se vendimi i Kushtetueses argumenton se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë, ndërsa dy vendet e mbetura në raundin e dytë u takojnë dy grupeve më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-së dhe PDK-së.
“Sot, përmes një letre, i jam drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani-Sadriut me kërkesën për emërimin e anëtarit të tretë të KQZ-së nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kjo kërkesë vjen duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mospranimin e kërkesës së Presidentes për vlerësimin e konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës” (Nr. të lëndës: KO81/26). Vullneti politik i qytetarëve i shprehur me votë popullore në zgjedhjet e 28 dhjetorit është i qartë. E meqë parimi themelor është se përfaqësimi i subjekteve politike në KQZ lidhet me përfaqësimin parlamentar të dalë nga zgjedhjet, kërkojmë që të respektohet ky parim, rrjedhimisht vullneti i qytetarëve”, ka shkruar Rama.
Osmani ka kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113” të Kushtetutës, përkatësisht në mes të saj dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Kosovës” sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së.
Gjykata tha se nuk janë plotësuar kriteret e kërkuara kushtetuese në lidhje me ngritjen e “konfliktit të kompetencave kushtetuese”.
Kushtetuesja tregoi se në rastin konkret, konflikti i kompetencave është ngritur me një kompetencë të presidentes që nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes Osmani, duke kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë letër, Kryetari Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.