Deputeti Hasani denoncon ekspozitën për burgun e Dubravës: Prezantim i propagandës serbe, fyerje për viktimat

Deputeti i PDK-së dhe ish-i burgosuri Nait Hasani ka kritikuar ashpër ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” që u organizua në sheshin “Nënë Tereza” më 24 mars 2026, duke e cilësuar atë si prezantim të qëllimshëm të propagandës së UDB-së dhe si fyerje për viktimat dhe të mbijetuarit e burgut të Dubravës. “Sot nuk po flas…

Lajme

02/04/2026 12:19

Deputeti i PDK-së dhe ish-i burgosuri Nait Hasani ka kritikuar ashpër ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” që u organizua në sheshin “Nënë Tereza” më 24 mars 2026, duke e cilësuar atë si prezantim të qëllimshëm të propagandës së UDB-së dhe si fyerje për viktimat dhe të mbijetuarit e burgut të Dubravës.

“Sot nuk po flas vetëm si deputet, sot po flas si dëshmitar i masakrës në burgun e Dubravës. Ai që është prezantuar në këtë ekspozitë nuk është vetëm gabim, është fyerje për viktimat dhe për të vërtetën e masakrës. Në atë ekspozitë u prezantua versioni i UDB-së, që përpiqet të paraqesë një kryengritje të të burgosurve të armatosur, gjë që është e pavërtetë,” tha Hasan.

Ai kujtoi se gjatë masakrës u vranë 48 të burgosur ushtarë dhe 58 civilë, ndërsa në ekspozitë u përshkrua si një “rebelim i të burgosurve të armatosur”, bazuar në deklarimet e ish-oficerit serb Boran Tomosheviç, të cilat sipas Hasanit janë të rreme dhe të manipulueshme.

“Liria e shprehjes dhe veprimit nuk përfshin të drejtën për të falsifikuar krimet serbe dhe për t’i fajësuar viktimat. Kjo ekspozitë ka pasoja të rënda politike dhe historike për shtetin tonë,” shtoi Hasan, duke kërkuar llogaridhënie për dëmin e shkaktuar ndaj të vërtetës historike dhe kujtesës së viktimave.

Deputeti u shpreh gjithashtu se Fondi për të Drejtat Humanitare i Natasha Kandiqit e mbështeti këtë version të rreme, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për dokumentimin dhe prezantimin e historisë së krimeve serbe në Kosovë. /Lajmi.net/