Alarmon qytetari nga Fushë Kosova: Ora e njehsorit elektrik devijon mbi 10 orë nga koha reale, rrezik për faturim të padrejtë

Një qytetar nga Fushë Kosova ka ngritur shqetësimin për një problem serioz me njehsorin e energjisë elektrike, i cili sipas tij shfaq një orë të pasaktë, me një diferencë prej më shumë se 10 orësh nga koha reale. Sipas denoncimit, kjo mospërputhje mund të ndikojë drejtpërdrejt në përllogaritjen e konsumit dhe rrjedhimisht në çmimin e…

Lajme

01/04/2026 18:43

Një qytetar nga Fushë Kosova ka ngritur shqetësimin për një problem serioz me njehsorin e energjisë elektrike, i cili sipas tij shfaq një orë të pasaktë, me një diferencë prej më shumë se 10 orësh nga koha reale.

Sipas denoncimit, kjo mospërputhje mund të ndikojë drejtpërdrejt në përllogaritjen e konsumit dhe rrjedhimisht në çmimin e faturës mujore. Qytetari ka dokumentuar rastin duke fotografuar njehsorin, ku shihet qartë se ora e pajisjes nuk përputhet me kohën aktuale të treguar në telefonin e tij.

Ai shprehet se ky gabim teknik mund të bëjë që energjia e konsumuar në periudha me tarifë më të ulët të regjistrohet si konsum në orare me tarifë më të lartë.

“Dallimi është mbi 10 orë. Kjo do të thotë që energjia që përdor natën mund të regjistrohet si ditore dhe të më faturohet më shtrenjtë,” tha ai.

Ekspertët e fushës theksojnë se njehsorët modernë funksionojnë mbi baza të orareve të përcaktuara dhe çdo devijim në kohë mund të çojë në llogaritje të pasakta. Ata sugjerojnë që raste të tilla të raportohen menjëherë pranë operatorit të shpërndarjes së energjisë për verifikim dhe korrigjim.

Nga ana tjetër, KEDS në një konferencë për medie sot ka thënë se nuk ka manipulime, derisa kanë shtuar se të gjithë qytetarët do të kompenzohen. /Lajmi.net/