​27 vjet nga masakra në Pastasellë, rrëfehen familjarët e të vrarëve

“Bir ik se unë jam duke shkua ku janë tubuar ata”. Këto ishin fjalët e fundit që i dëgjoj Njazi Krasniqi nga babai i tij para se të vritej nga forcat e armatosura serbe para 27 viteve në Pastasellë të Rahovecit. Ani pse sot ai ka 50 vjet, e mban mend kujtimin e fundit me…

Lajme

31/03/2026 16:19

“Bir ik se unë jam duke shkua ku janë tubuar ata”. Këto ishin fjalët e fundit që i dëgjoj Njazi Krasniqi nga babai i tij para se të vritej nga forcat e armatosura serbe para 27 viteve në Pastasellë të Rahovecit.

Ani pse sot ai ka 50 vjet, e mban mend kujtimin e fundit me babain Selimin i cili në atë kohë ishte veç 22 vjet.

Krasniqi rrëfeu për KosovaPress edhe se si i kishte parë të nesërmen 106 trupat e vrarë, të masakruar e disa edhe të djegur.

Si 22 vjeçar në atë kohë, ai ishte sprovuar qe të varroste një nga një trupat e vrarë, në mesin e tyre ai varrosi edhe babain e tij.

Krasniqi ishte burgosur nga forcat serbe dhe torturuar pasi kishte varrosur trupat.

“Për herë të fundit e kam parë babën te shkolla afër ku u bë pushkatimi, më ka thënë “bir ik se unë jam duke shkua ku janë tubuar ata”, pas pesë ore ka ndodhur pushkatimi. Të nesërmen kam ardhur te kufomat ku janë pushkatuar 106, aty i kam pa të vranë të masakruar dhe disa kufoma kanë qenë të djegura. Të nesërmen kemi filluar me i pru, i kemi qitë nga pesë kufoma te xhamia. Pesë ditë kemi bo me i varros. Me 26 prill 99 kanë ardhur serbet natanë stacioni dhe kanë bërë zhvarrimin e kufomave. Me 29 prill jam arrestuar nga forcat serbe 18 muaj. Maltretime kam pasur me kanë pyet se kush i ka vra, ku i kanë dërgua trupat unë thosha se nuk e di… ma e rënda ka qenë se janë marrë kufomat se pa ADN nuk i kanë ditë, i kanë nxjerrë dhe njëherë i kanë bërë ekspertizë. Shumicës iu janë bërë dy tri herë varrimi, ka qenë vështirë shumë.. Nuk më heqët nga mendja deri të vdes kur me tha prindi ik ti. Të nesërmen kur kam ardhur e kam parë të vrarë, ka pasur plis të bardhë, e ka shti në xhep të setrës kur e kemi nxjerrë nga përroi kemi gjetur plisin, ka qenë i plagosur rëndë pas shpine.. Ma e rëndë ka qenë kur jam takuar me Ismet Gashin më pyeti për djalin e vet të vrarë; më pyeti a është i vrarë i thashë jo, pas katër muajsh kur e kam vizituar pas burgu më tha e ke ditur se kam djalin e vrarë e nuk më ke tregu. I thashë se nuk kam mundur me ta dhanë këtë lajm, sot nuk mundem me u taku me atë person se më kujtohen ato skena”, rrëfeu Krasniqi.

Nakije Hoti, të cilës i kishin vrarë babin Fejzullah Krasniqin tregoi se kur ka dëgjuar krismat veçse e kishte ditur se në atë mes është babai i saj.

“Kemi qenë duke dalë nga fshati dhe serbët nga lart nuk na kanë lënë me lëvize me tanke. Tani kanë ardhur na kanë nda një anë këndej serbët, nga një, burrat i kanë pushkatua. Kemi dalë me poshtë kemi dëgjua krismën edhe aty nuk kam ditur më asgjë… Po, me vëllain e djalin e axhës e patëm larguar, po ta ndjek zemra. Pastaj kanë ardhur kushërinjtë na kanë thënë se babën edhe axhët i kanë myt.. Shume keq, unë kam qenë me motrën të reja, 57 vite babi i ka pasur ma të mirën moshë. Unë këtë ditë kurrë sa të jem gjallë nuk e harroj në jetë. Ishalla këta vëllezër e të rinj i kemi me jetë tëe gjatë”, tha hoti.

E Milazim Krasniqi i cili në atë kohë kishte pasur 12 vjet rrëfeu se si e kishte përjetuar masakrën si fëmijë.

“Më është vra baba, i kam pasur 12 vjet. Kemi dalë jemi tubuar. Kanë hipur këtu mbi fshat kanë dalë edhe kanë nisur me granatua. Serbët na kanë nda, burra e gra dhe ne fëmijët. Dhe na kanë torturuar, grave kanë marrë vath e zinxhirë. Na kanë larguar neve fëmijëve e janë ndjerë krisma e u pushkatuan 106 vet. Ne e kemi marrë vesh pas tre dite. Ka qenë ngjarje e tmerrshme. Sikur fëmijë si e kam përjetua”, tha ai.

Më 31 mars 1999, forcat serbe kishin rrethuar fshatin Pastasellë të Rahovecit, ku vrau dhe masakroi 106 persona nga fshati dhe përreth.

Në këtë masakër kanë mbijetuar 13 persona, prej tyre ka mbetur gjallë vetëm një Tahir Krasniqi.

Ndërsa katër persona janë ende të pagjetur.