S’ka ulje/ 1.82€ për litër arrin çmimi i naftës sot- nga Shoqata e Naftëtarëve thonë se “qytetarët po furnizohen me çmimet më të lira”

Që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, çmimet e naftës në Kosovë, ashtu sikurse në mbarë botën, janë shtrenjtuar vazhdimisht. Rritja e fundit ka bërë që çmimi i dizelit sot të arrijë deri në 1.82 euro për litër, duke ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e vështirësive edhe më të mëdha financiare…

Lajme

31/03/2026 13:33

Që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, çmimet e naftës në Kosovë, ashtu sikurse në mbarë botën, janë shtrenjtuar vazhdimisht. Rritja e fundit ka bërë që çmimi i dizelit sot të arrijë deri në 1.82 euro për litër, duke ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e vështirësive edhe më të mëdha financiare për qytetarët dhe duke rritur kostot e përditshme të jetesës.

Kosova nuk ka rafineri të vetën dhe furnizohet tërësisht nga importet. Vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026 (janar-mars), sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për lajmi.net, janë importuar rreth 169 milionë litra naftë, me një vlerë që kalon 101 milionë euro. Nga kjo shumë, për mbi 58 milionë euro janë paguar akcizë dhe rreth 28 milionë euro TVSH, që do të thotë se qytetarët kanë kontribuar me mbi 87 milionë euro taksa vetëm në tre muaj për naftën.

Importi i benzinës për të njëjtën periudhë ka arritur në afro 18 milionë litra, me një vlerë prej rreth 9 milionë eurosh, ku pjesa më e madhe e taksave përbëhet nga mbi 6.7 milionë euro akcizë dhe rreth 2.8 milionë euro TVSH.

Furnizimet kryesore të Kosovës vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës, duke e bërë tregun jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj luhatjeve globale.

Çmimet aktuale me pakicë sillen nga 1.74 deri në 1.82 euro për litër dizel, ndërsa benzina shitet mes 1.40 dhe 1.44 euro për litër. Furnizuesit me shumicë kanë shënuar çmim rreth 1.74 euro për litër.

Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka deklaruar për lajmi.net, se qytetarët aktualisht po furnizohen me çmime më të lira krahasuar me periudha të tjera, por nuk mund të parashikohen luhatje për ditët në vijim.

“Çmimet sot me pakicë sillen përafërsisht Dizelli. 1.74€ deri 1.82 € Benzin1.40 € deri 1.44 € Çmimi furnizues të premten me shumicë ka qenë 1.74€.”

Sipas Berjanit, çmimet mund të ulen veç nëse stabilizohet situata globale.

“Çmimet mund të ulen vetëm nëse stabilizohet situata globale, përfshirë tensionet në Iran”,tha ai.

Teksa ekspertët e ekonomisë sugjerojnë që, për të lehtësuar barrën mbi familjet dhe bizneset, të pezullohet përkohësisht akciza për disa ditë, një masë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e çmimeve të derivateve. Deri tani, institucionet vendore ende nuk kanë marrë vendime konkrete, ndërsa shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë ndërmarrë hapa për frenimin e rritjes së çmimeve në pompat e karburanteve.

Situata aktuale nënvizon rëndësinë e masave strategjike dhe planifikimit të kujdesshëm për të mbrojtur qytetarët nga pasiguria e tregut global të naftës.

Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve, qytetarët përballen me kostot më të larta të transportit dhe shpenzimeve të përditshme, duke e bërë këtë një nga sfidat më të mëdha ekonomike për vitin 2026.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dje deklaroi se propozimi për heqjen e tvsh-së dhe akcizës janë propozime të gabuara.

“Ju e dini se e gjithë nafta që kemi në Kosovë importohet dhe ne jo vetëm që s’kemi burime të naftës por as rafineri të naftës ne as nuk përpunojmë, përpos që nuk kemi.Në këtë mënyrë e marrim komplet koston e inflacionit në import , ministria e Tregtisë i ka vazhduar ato masat e ish-ministres Hajdari dhe ajo është në komunikim të vazhdueshëm me ekspertët”,tha Kurti.

“Këto propozimet për heqje të tvsh-së e akcizës s’janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike, është shumë e rëndësishme të kemi kujdes e të mos i shërbejmë super profitit të ndokujt, në vend që t’ua zbusim barrën qytetarëve”,tha ai, transmeto lajmi.net.

“Gjitha vendet e Evropës dhe vetë SHBA-të po e vuajnë koston e luftës që po zhvillohet në Iran e Terehan, e sikur ne të kishim port detar e të kishim vend të madh grumbullimi të naftës atëherë këto tregje s’do përcilleshin kaq shpejtë si tani”, deklaroi dje Kurti./Lajmi.net/