Lladrovci: Ashtu siç besova në çlirimin e Kosovës, ashtu besova se kombëtarja e Kosovës një ditë do të jetë krenari jona

Ndeshjen e sotme, të vlershme për kualifikim në Kampionatin botëror, Ramiz Lladrovci e ka vlerësuar historike. Lladrovci ka thënë se “sot është dita jonë, dita e fitores”. Postimi i plotë i Lladrovcit: Ashtu siç besova në çlirimin e Kosovës, ashtu besova se kombëtarja e Kosovës një ditë do të jetë krenari jona Sot, në Sheshin…

Lajme

31/03/2026 12:32

Ndeshjen e sotme, të vlershme për kualifikim në Kampionatin botëror, Ramiz Lladrovci e ka vlerësuar historike.

Lladrovci ka thënë se “sot është dita jonë, dita e fitores”.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Ashtu siç besova në çlirimin e Kosovës, ashtu besova se kombëtarja e Kosovës një ditë do të jetë krenari jona

Sot, në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, bashkë me qytetarët, do të ndjekim sfidën e cila është historike për futbollin e Kosovës. Kombi, sot është një, pavarësisht flamurit që bartin në gjoks futbollistët e Kosovës. Jemi bashkë dhe askush nuk do të mund të na ndajë.

Megjithëse rrugës për Bratislavë kisha dilema për fuqinë tonë për tu përballur me sllovakët, kur e mendoja ndeshjen me Suedinë dhe Slloveninë, më vinte besimi se shqiponjat tona do të bëjnë mrekulli.

Ashtu ndodhi. Futbolli i Kosovës, u bë brend tashmë i mirënjohur dhe i pranuar në botë. Me keqardhje e pranuam humbjen e Shqipërisë në Poloni, por, besojmë fort se edhe Shqipërinë do ta bëjmë krenare me lojën dhe fitoren tonë.

Futbollistët tanë, treguan karakter, cilësi dhe forcë morale, sepse, dy herë nga rezultati negativ në Sllovaki, arriti ta kthej në fitore. Kthimet e tilla në futboll, nuk janë të shpeshta, kjo nuk ju shkon për dore as kombëtareve më të mëdha në botë.

Pas fitores në Bratislavë, krejt shqiptarët në trojet etnike dhe diaspora, u përpoqën të gjejnë një biletë për të qenë të pranishëm në lojën vendimtare kualifikuese në Prishtinë kundër Turqisë. Stadiumi “Fadil Vokrri” është tepër i vogël për të zënë të gjithë të interesuarit për ndeshjen.

Prandaj, e mendova si zgjidhje për mungesë biletash, nëpër komunat tona, në sheshe, në pajtim me normat e sigurisë publike, të instalohen ekranet e mëdha led, të cilat do të ofrojnë qasje për qytetarët, të jenë pjesë e atmosferës së përbashkët të fitores.

Më shumë se kurrë, po mungon Stadiumi Nacional, sërish u dëshmua se inatet nuk ndërtojnë të ardhme. Në arritjen më të madhe të futbollit, na mungon foleja për shqiponjat tona.

Me lojë cilësore do të jemi në Kampionatin botëror, sepse, e meritojmë. Futbollistët e Kosovës, u rritën me shtetin e Kosovës dhe ne jemi krenar me shqiponjat tona. Përpara shqiponja, respekt trajner, staf teknik, tifoz e futbolldashës. Sot është dita jonë, dita e fitores!