75 milionë euro për pagën e 13-të, Muharremi: Nuk zgjidh problemet ekonomike
Analisti dhe publicisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj vendimit për pagën e 13-të, duke e cilësuar atë si një masë me prapavijë elektorale dhe kosto të lartë për ekonominë e vendit. Sipas tij, kjo skemë pritet t’i kushtojë rreth 75 milionë euro tatimpaguesve, ndërsa nuk adreson asnjë nga sfidat kryesore ekonomike në afatgjatë. Përkundrazi,…
Lajme
Analisti dhe publicisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj vendimit për pagën e 13-të, duke e cilësuar atë si një masë me prapavijë elektorale dhe kosto të lartë për ekonominë e vendit.
Sipas tij, kjo skemë pritet t’i kushtojë rreth 75 milionë euro tatimpaguesve, ndërsa nuk adreson asnjë nga sfidat kryesore ekonomike në afatgjatë. Përkundrazi, Muharremi vlerëson se një injektim i tillë i parasë në treg rrit kërkesën për produkte të importuara, duke nxitur inflacionin dhe duke përkeqësuar deficitin tregtar, i cili tashmë ka kaluar mbi 6 miliardë euro.
Ai thekson se këto mjete do të mund të orientoheshin në projekte strategjike, si rritja e kapaciteteve energjetike në vend, që sipas tij do të sillnin përfitime më të qëndrueshme për qytetarët dhe bizneset.
Muharremi gjithashtu argumenton se me këtë shumë do të ishte e mundur të subvencionohej energjia elektrike, duke parandaluar rritjen e çmimeve dhe duke zbutur presionin inflacionist. Sipas tij, kjo do të mund të kursente deri në 1 miliard euro për ekonominë në një periudhë 2–3 vjeçare.
Në reagimin e tij, ai kritikon edhe mungesën e mbështetjes për sektorin e bujqësisë, veçanërisht në raport me çmimet e naftës, duke akuzuar qeverinë se ndërmerr veprime kryesisht në funksion të përfitimeve elektorale. /Lajmi.net/