90 minuta larg ëndrrës së madhe, Kosova më gati se kurrë për Botëror

Kombëtarja e Kosovës ndodhet përballë momentit më të madh në historinë e saj futbollistike. Sonte, Dardanët zbresin në fushë për të zhvilluar 90 minutat më të rëndësishëm të këtij cikli kualifikues për Kampionatin Botëror një përballje që mund të vulosë një kapitull të ri për futbollin kosovar. Rrugëtimi i Kosovës deri në këtë pikë ka…

Sport

31/03/2026 09:45

Kombëtarja e Kosovës ndodhet përballë momentit më të madh në historinë e saj futbollistike.

Sonte, Dardanët zbresin në fushë për të zhvilluar 90 minutat më të rëndësishëm të këtij cikli kualifikues për Kampionatin Botëror një përballje që mund të vulosë një kapitull të ri për futbollin kosovar.

Rrugëtimi i Kosovës deri në këtë pikë ka qenë një histori më vete, e mbushur me sfida, ngritje dhe besim të palëkundur.

Që nga momenti i shortit, në kampin kosovar është ndjerë një atmosferë optimizmi dhe bindje se kjo gjeneratë mund ta shkruajë historinë.

Starti nuk ishte i lehtë, në ndeshjen hapëse ndaj Zvicrës, Kosova pësoi humbjen e vetme në këtë fazë kualifikuese, me një rezultat të thellë 4-0., një goditje e fortë, por jo e mjaftueshme për të lëkundur besimin brenda skuadrës.

Reagimi erdhi menjëherë në përballjen e dytë, “Dardanët” treguan karakter duke mposhtur favoritin e Grupit B, Suedinë, me rezultat 2-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Një fitore që jo vetëm riktheu besimin, por ri ndezi edhe ëndrrën për një kualifikim historik në Botërorin që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Barazimi 0-0 ndaj Sllovenisë për një moment e zbehu entuziazmin, por kjo skuadër dëshmoi se nuk dorëzohet lehtë.

Megjithatë, në tokën e “Vikingëve”, “Piratët e Kosovës” arriti një tjetër fitore të madhe ndaj Suedisë me rezultat 0-1, duke dëshmuar pjekuri dhe vendosmëri.

Seria pozitive vazhdoi edhe ndaj Sllovenisë, ku Kosova triumfoi me rezultat 0-2, në një ndeshje ku dominimi dhe motivimi ishin të dukshëm, njofton Klankosova.tv.

Faza e grupeve u mbyll me një barazim 1-1 ndaj Zvicrës në Prishtinë, një rezultat që vulosi një rrugëtim mbresëlënës, por jo i mjaftueshëm për një kualifikim direkt për në kampionat Botëror.

Pas një pauze të shkurtër, shorti i play-offit i vuri përballë Kosovës një tjetër sfidë të fortë.

Sllovakia ishte pengesa e parë, por “Dardanët” nuk kursyen asgjë, duke siguruar një fitore spektakolare 3-4 dhe duke bërë një hap të madh drejt ëndrrës.

Dhe tani, gjithçka zbret në një natë, nata vendimtare.

Kosova pret Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45. Çdo minutë, çdo aksion dhe çdo detaj pritet të ketë peshë të jashtëzakonshme në këtë përballje që mund të vendosë realizimin e ëndrrës së madhe.

Lojtarët duken më të motivuar se kurrë për ta shkruar historinë, në anën tjetër, përkrahja e tifozëve ka qenë e pandalshme gjatë gjithë këtij rrugëtimi, në shtëpi dhe në ndeshjet si mysafir, duke e shndërruar këtë sfidë në një festë të madhe futbolli dhe një moment krenarie kombëtare.

Sonte, Kosova është vetëm 90 minuta larg ëndrrës së madhe.