DnV publikon raportin përfundimtar për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Kërkohet reformë e thellë e sistemit zgjedhor
Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar sot raportin final të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke hapur një diskutim më të gjerë mbi mësimet nga ky proces dhe nevojën për ndërhyrje konkrete në sistemin zgjedhor. Raporti përmbledh gjetjet nga të gjitha fazat e procesit zgjedhor, me theks të veçantë te zhvillimet në…
Lajme
Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar sot raportin final të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke hapur një diskutim më të gjerë mbi mësimet nga ky proces dhe nevojën për ndërhyrje konkrete në sistemin zgjedhor.
Raporti përmbledh gjetjet nga të gjitha fazat e procesit zgjedhor, me theks të veçantë te zhvillimet në fazën paszgjedhore, veçanërisht te numërimi dhe rinumërimi i votave preferenciale të kandidatëve. Mbi 242 mijë ndryshime në këto vota dhe një proces që zgjati mbi një muaj e gjysmë deri në përmbyllje, e zhvendosën vëmendjen nga rezultati tek mënyra si funksionon vetë sistemi dhe si u arrit deri te ai rezultat. Në këtë kuadër, u trajtuan disa nga dimensionet kryesore të procesit zgjedhor, përfshirë rolin dhe funksionimin e administratës zgjedhore, organizimin e votimit jashtë vendit, si dhe barazinë në garë gjatë fushatës.
U theksua se zgjedhjet duhet të vlerësohen si një proces i plotë, që fillon shumë më herët dhe përmbyllet vetëm pas trajtimit të të gjitha fazave, përfshirë numërimin dhe drejtësinë zgjedhore.
Paneli i diskutimit që pasoi, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të grupeve parlamentare (LVV, LDK dhe AAK), përfaqësuesve të institucioneve zgjedhore dhe akterëve të tjerë, u përqendrua te nevoja për një reformë që shkon përtej rregullimeve teknike. Në këtë drejtim, u trajtuan edhe elemente më substanciale të sistemit zgjedhor, si zonat zgjedhore, mënyra e zgjedhjes së Presidentit, pragu zgjedhor dhe të ngjashme.
Në anën tjetër, diskutimi u ndal edhe te aspektet teknike të procesit, veçanërisht modeli i numërimit të votave, roli dhe përbërja e KQZ-së, organizimi i votimit jashtë vendit dhe ndikimi i vendimeve financiare të ekzekutivit në garën zgjedhore. U theksua se organizimi i zgjedhjeve, sidomos në kushte të afateve të shkurtra, mbetet sfidë serioze për administratën zgjedhore, ndërsa kompleksiteti i operacioneve kërkon planifikim dhe kapacitete më të qëndrueshme.
Diskutimi konfirmoi se shumë prej problemeve të evidentuara në këtë raport janë të njohura dhe të përsëritura edhe nga proceset e mëhershme. Në këtë drejtim, u nënvizua nevoja që gjetjet dhe rekomandimet të mos mbeten vetëm në nivel raportimi, por të shërbejnë si bazë për një debat të strukturuar dhe për hapa konkretë drejt përmirësimit të sistemit zgjedhor në Kosovë.