Foda dhe Muriqi: Do të japim gjithçka për të mposhtur Turqinë
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda dhe kapiteni Vedat Muriqi, të hënën në një konferencë për media, kanë folur para ndeshjes me Turqinë Kosova dhe Turqia do të përballen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në finalen e madhe të pley-off-it për Kupën e Botës 2026. Strategu gjerman i Dardanëve thotë se lojtarët…
Sport
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda dhe kapiteni Vedat Muriqi, të hënën në një konferencë për media, kanë folur para ndeshjes me Turqinë
Kosova dhe Turqia do të përballen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në finalen e madhe të pley-off-it për Kupën e Botës 2026.
Strategu gjerman i Dardanëve thotë se lojtarët e tij, janë gati për sfidën historike.
Ai e pranon se Turqia është ekip i fortë në aspektin individual, por sipas tij, gjasat për fitore janë 50 me 50 përqind.
“Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, janë kualitativ dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat janë 50-50. Ne do të japim gjithçka për të fituar”, ka thënë Foda.
Ai e lë të hapur mundësinë që nesër të startojë nga fillimi i lojës Edon Zhegrova.
“Kam besim të madh tek të gjithë lojtarët, po ashtu edhe te Edon Zhegrova. Secila lojë ka rëndësinë e vetës dhe duhet të vendosi se kë të inkuadrojë. Te Sllovakia kanë luajtur me topa të gjatë, andaj na është nevojitur një lojtar me trup-gjatë. Ndoshta nesër Edoni do të luajë nga fillimi”, ka theksuar Foda.
Ai thotë se i njeh forcat dhe dobësitë e kundërshtarit të nesërme.
“Natyrisht nuk do ta zbuloj taktikën që do ta zbatoj në lojë. E rëndësishme është që i njohim forcat dhe dobësitë e Turqisë. Nesër të përformojmë me idetë dhe parimet tona. Turqia është e fortë si në lojë ashtu edhe në kombinime. Loja e tyre bazohet në pasime të shkurtëra, por me rëndësi është që kur ta kemi topin të kthehemi në kundërsulm”, ka deklaruar Foda.
Ndërkaq, kapiteni i Kombëtares sonë, Vedat Muriqi, ka thënë se është krenar që mban shiritin e kapitenit në këtë ndeshje të rëndësishme për Kosovën.
Ai beson se Kosova mund të fitojë ndeshjen me Turqinë.
“Kam kënaqësinë që jam kapiten në këtë sfidë të rëndësishme, pra jemi në finale. Jam i qetë, kemi atmosferë jashtëzakonisht të shkëlqyer në kombëtare dhe shpresojmë shumë në sukses”, ka thënë Muriqi.
Ai është i vetëdijshëm për kualitetin që posedon Turqia, por Muriqi mendon se Kosova duhet të zhvillojë lojë ekipore për të ardhur deri tek fitorja.
“Për kualitetin e Turqisë nuk flitet, duhet të bëjmë një lojë ekipore për të qenë më të mirë se Turqia”, ka thënë Muriqi.
“Gjithmonë kam thënë se nuk më intereson të shënoj gola, përderisa fiton ekipi. Jemi t’u fol për shtetin, jemi në finale kështu që s’më intereson aspak kush shënon gola”.
“Pas pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj në fitore e pastaj të festojmë në shesh”, ka pohuar Muriqi.