Shkuarja e FSK-së në Gaza, Kurti thotë se do të kërkohet nga Kuvendi që të merret ky vendim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në prezantimin e pikave të rendit të ditës të mbledhjes së Qeverisë, ka përmendur edhe shkuarjen e FSK-së në Gaza. Ai ka thënë se do t’i propozohet Kuvendit që të marrë vendim për dërgimin e FSK-së në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. “Në fund të janarit 2025 ndamë…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në prezantimin e pikave të rendit të ditës të mbledhjes së Qeverisë, ka përmendur edhe shkuarjen e FSK-së në Gaza.
Ai ka thënë se do t’i propozohet Kuvendit që të marrë vendim për dërgimin e FSK-së në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
“Në fund të janarit 2025 ndamë 500 mijë euro për ndihma humanitare për popoullin palestinez në Gaza. Sot kemi në rend dite propozim vendimin nga Ministria e Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi marrjen e vendimit për dërgimin e FSK-së në mision në Gaza si pjesë e forcës ndërkombetare stabilizuese. Vitin e kaluar ministri Ejup Maqedoni, komandanti Bashkim Jashari, kërkuan leje për pjesëmarrje në një konferencë në Doha të Katarit lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, që siç e thotë edhe emërtimi ka për qëllim stabilizimi i sigurisë në Gaza”, tha Kurti më tutje.
Ai ka thënë se FSK ka krijuar reputacion ndërkombëtar për aftësi të kërkim-shpëtimit, deminimit dhe të tjera.
“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare, dhe të ndihmojmë popullin e Gazës edhe për shkak se vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të Forcave Ndërkombëtare që nga viti 1999”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/