Gucati: Ekspozita ka qenë fyerje për ne, falenderojmë Ramën për reagimin e shpejtë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dalë me reagim zyrtar përmes një konference për media, duke kundërshtuar ashpër ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u prezantua ditët e fundit në Prishtinë. Kjo ekspozitë, që trajton ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik për shkak…

Lajme

29/03/2026 14:33

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dalë me reagim zyrtar përmes një konference për media, duke kundërshtuar ashpër ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u prezantua ditët e fundit në Prishtinë.

Kjo ekspozitë, që trajton ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik për shkak të, siç u tha, pasaktësive në përshkrimin e disa masakrave. Në këtë kontekst, edhe OVL-UÇK ka shprehur qëndrimin e saj, duke e konsideruar përmbajtjen e ekspozitës skandaloze.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, deklaroi se mënyra se si janë paraqitur ngjarjet në ekspozitë është e papranueshme dhe fyese, jo vetëm për veteranët, por për gjithë shoqërinë.

Ai njëkohësisht shprehu mirënjohje për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për reagimin e shpejtë institucional, duke ndërmarrë masa për largimin e ekspozitës nga hapësirat publike.

Sipas Gucatit, veprimi i komunës ishte i domosdoshëm, pasi ekspozita, në formën si ishte prezantuar, cenonte ndjeshmërinë e qytetarëve dhe të atyre që kanë përjetuar luftën.

“Ne shoqatat e dalura nga lufta, siç e keni parë dje edhe reagimin kundër kësaj ekspozite që ka ndodhë, që ka qenë në sheshin e Prishtinës. Dua ta falenderoj pa hezitim, Përparim Ramën që ka marrë aksion të shpejtë për t’i larguar, që për ne kanë qenë një fyerje, jo vetëm për neve, por edhe si shoqëri dhe si komb”, tha Gucati.